Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që më 3 gusht të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit, duke shkelur haptazi një zotim që kishte bërë pak javë më parë, kur deklaroi se Kosova do të bëhet me institucione më së largu deri nga gjysma e korrikut.
Thirrjes së seancës i kanë paraprirë konsultat e Thaçit me partitë parlamentare, në të cilat nuk morën pjesë edhe partitë që renditen pas koalicionit fitues PDK-AAK-Nisma, shkruan sot Koha Ditore.
Me gjithë caktimin e seancës, koalicioni fitues dhe mandatari për kryeministër, Ramush Haradinaj, nuk ka zyrtarizuar ende marrëveshje për koalicion paszgjedhor as me partitë politike, por as me deputetët individualisht.
E kriteret e proklamuara të Thaçit se nuk do t’ua japë mandatin atyre që kanë ushtruar dhunë, ka nxitur reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, që ka paralajmëruar dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.