Thaçi jep përshtypjet nga Jarinja 3 ditë pas vizitës

Prishtinë | 03 Sht 2016 | 13:36 | Nga

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar përshtypjet e tij nga vizita që kishte bërë më 1 shtator në pikën kufitare në Jarinjë të Leposaviqit.

Ai ka thënë se në pikën kufitare në Jarinjë ka takuar oficerë të policisë dhe të doganave të të  gjitha etnive, që me uniformën e shtetit të Kosovës punonin me zell dhe me përkushtim për t’u shërbyer qytetarëve të vendit tonë.

Sipas tij, ata që një kohë ishin në barrikada dhe pengonin lëvizjen e lirë, sot janë pjesë e institucioneve të Kosovës ku kontribuojnë për komunitetet e tyre, por edhe për tërë Kosovën.

Postimi i plotë i presidentit Thaçit:

“Këtë javë vizitova pikën kufitare në fshatin Jarinjë, në pjesën veriore të Kosovës, ku edhe një herë isha dëshmitar i konsolidimit të shtetit tonë dhe i përmirësimeve që sjell qasja jonë e promovimit të dialogut dhe bashkëpunimit. Ata që një kohë ishin në barrikada dhe pengonin lëvizjen e lirë, sot janë pjesë e institucioneve të Kosovës ku kontribuojnë për komunitetet e tyre, por edhe për tërë Kosovën. Sot, Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës punojnë krejt normalisht edhe në pikat kufitare në pjesën veriore të Kosovës, si në çdo pjesë të Kosovës. Qytetarët atje lëvizin më lirshëm se kurdo. Ky integrim dhe ky normalizim i gjendjes në pjesën veriore të Kosovës është arritur falë dialogut dhe bashkëpunimit që promovojmë në Kosovë.

Në pikën kufitare në Jarinjë takova oficerë të policisë dhe të doganave të të gjitha etnive, që me uniformën e shtetit të Kosovës punonin me zell dhe me përkushtim për t’u shërbyer qytetarëve të vendit tonë. Për këtë sukses, Polica e Kosovës dhe Doganat e Kosovës e meritojnë respektin dhe mirënjohjen më të lartë.

Kënaqësi jepte edhe natyra e bukur, pasuri e çdo ane të Kosovës. Por, ishte e dhimbshme të shihje se fshatrat dhe vendbanimet kishin mbetur prapa në zhvillim krahasuar me pjesët e tjera të vendit tonë. Është ky një mësim tjetër i dëmeve që sjell ekstremizmi dhe nacionalizmi. Kjo pjesë e Kosovës ka nevojë për sa më pak politikë dhe për sa më tepër zhvillim.

Kujtojmë se vizita e Thaçit në Jarinjë kishte ngjallur reagimet e palës serbe.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kishte thënë se vizita e beftë dhe e paparalajmëruar e Hashim Thaçit “kontejnerit” (siç e quan ai objektin e Doganës së Kosovës) në Jarinjë, e bërë dhe e llogaritur me qëllime të shkaktimit të trazirave, eksese e dhunë dhe destabilizim të rrethanave në pjesët ku jetojnë serbët.

“I falënderoj qytetarët në saje të reagimit të urtë e të arsyeshme ky provokim i qartë nuk dha fryte. Do të vazhdojmë bashkë me qytetarët në mënyrë të qetë por të paluhatshme të punojmë për mbrojtjen e interesave të popullit serb e të shtetit të Serbisë në krahinën e saj jugore”, siç e quan Gjuriq shtetin e Kosovës, transmeton Koha.net.

E mediat në Serbi kishin shkruar se si Thaçi nuk ka pyetur askënd, as Gjuriqin e as Vuçiqin për të vizituar veriun e Kosovës, derisa kishin thënë se këta të parët duhet marrë leje nga Prishtina zyrtare për të vizituar Kosovën.”

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme