Në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit pritet që të ketë “lojtarë” të tjerë në fund të këtij viti, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e Rusia. Përfshirjen e SHBA-së e ka kërkuar shteti i Kosovës.
Sipas këtyre spekulimeve, bisedimet mes ekipit të Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen do të kryesohen nga politikanë gjermanë me përvojë në emër të Bashkimit Evropian, ndërsa Uashingtoni do të dërgojë një vëzhgues për këtë proces.
Përfshirjen e mundshme të SHBA-së me kërkesë të Kosovës e ka konfirmuar edhe shefi i Stafit në Zyrën e Presidentit, Bekim Çollaku.
“Për momentin asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket rolit ndërmjetësues apo lehtësues. Pra, vazhdon të mbetet BE-ja, ajo që e lehtëson këtë proces. Mirëpo, ne kemi kërkuar që në këtë fazë të ndjeshme përfundimtare të përfshihen në mënyrë direkte edhe SHBA-ja”, ka thënë Çollaku për portalin Express.
“Se a do të ndodhë kështu, mbetet të shihet në vazhdim të procesit. Ndërsa, nuk mund të paragjykojmë përfshirjen apo mospërfshirjen e Rusisë apo të ndonjë shteti tjetër në këtë proces”.
“Kjo në masë të madhe do të varet nga rëndësia dhe implikimet e këtij procesi në arenën ndërkombëtare”.