Hashim Thaçi ka vënë kurora lulesh pranë varrit të Adem Demaçi në Velani, i cili ndërroi jetë javën e shkuar.
Presidenti i Kosovës tha se ndjejnë obligim moral e shtetëror që ta respektojnë figurën e Demaçit, raporton Ekonomia Online.
“Sot është dita e parë e punës pas ditëve të zisë, pas varrimit të simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Ndiej obligim moral dhe shtetëror që sot të nderojmë në mënyrë institucionale dhe shtetërore njeriun e pavarësisë së Kosovës, autoritetin dhe institucionin moral politik dhe gjithëkombëtar, Adem Demaçi”.
“Duke respektuar dhe nderuar jetën, veprën dhe angazhimin e tij jetësor për liri të Kosovës dhe bashkim të shqiptarëve, ne nderojmë vetveten. Shteti i Kosovës, kombi shqiptar do ta respektojë për jetë të jetëve Adem Demaçin”, ka thënë Thaçi, raporton Ekonomia Online.
Simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, u varros të shtunën në Velani, me nderime të larta shtetërore, pak metra larg varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova.