Zërat e liderëve shqiptarë për bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë nëse BE-ja i mbyll dyert shqiptarëve, vazhdon të preokupoj serbët.
Lidhur me këtë, agjencia serbe “Beta” ka realizuar një intervistë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, transmeton Indeksonline.
Për këtë, Thaçi ka thënë se ai në deklaratat e tij asnjëherë nuk e ka përmendur krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe se mungesa e lidershipit dhe vizionit të Bashkimit Evropian hap rrugën për ideologji tjera dhe ndikon në rajon, si nacionalizimi, ekstremizmi dhe radikalizmi politik.
“Serbët duhet të ndahen nga e kaluara e tyre dhe të kthehen nga një e ardhme e re, kjo do të thotë të heqin dorë nga politika ndaj njerëzve që i shohin si armiq. Serbët duhet të bëjnë sikurse çdo shtet tjetër, të krijojnë një mundësi bashkëpunimi, të forcojnë paqen, stabilitetin, drejtësinë dhe të shënojnë progres”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, Ballkani duhet ta forcoj paqen dhe stabilitetin, duke thënë se këta janë faktor pse Kosova po angazhohet që të anëtarësohet sa më parë në NATO dhe BE.
“Mungesa e bashkëpunimit të sinqertë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është në dëm të të gjithëve. Dështimet e BE-së në të kaluarën nuk duhet të përsëriten. Kosova është një shtet i konsoliduar dhe në më pak se 10 vite pas pavarësisë ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në që është prova më e mirë se kemi shënuar reform në të gjithë sektorët”, ka theksuar Thaçi.
I pyetur se çka nëse koalicioni qeveritar vendos të shkohet në zgjedhje të parakohshme, Thaçi ka thënë se si i pari i vendit do të respektoj një vendim të tillë por se tani për tani nuk ka ndonjë gjë të tillë.
“Partitë që janë në koalicion qeverisës deri më tani kanë dëshmuar se kur duan, i koordinojnë veprimet e tyre në Kuvend”, duke iu referuar kështu edhe demarkacionit me Malin e Zi.
Presidenti komentoi edhe lirimin e Ramush Haradinajt nga drejtësia franceze, duke thënë se kthimi i liderit të AAK-së në Kosovë mund të ketë ndikim pozitiv në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.