Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kujtuar patriotët që themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Thaçi shkruan se kjo organizatë ishte më e rëndësishmja për shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të.
“Sot kujtojmë patriotët nga të gjitha viset shqiptare që u mblodhën për ta themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila u bë organizata më e rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive për shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit të 19. Edhe pas gjithë këtyre viteve, ideatorët, burrështetasit dhe delegatët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbesin figura frymëzuese për popullin shqiptar”, shkruan Thaçi në Facebook.
Presidenti thotë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte njëra ndër tri premisat që çuan në themelimin e shtetit shqiptar.
“Rilindja Kombëtare si lëvizje kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit si organizatë politiko-ushtarake dhe kryengritjet e viteve 1908-1912 janë tri premisat themelore që çuan në krijimin e shtetit shqiptar”, shkruan Thaçi.