Presideni Hashim Thaçi, pas takimit me liderët shtetëror është deklaruar për media ku edhe ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndarje të vendit por do të provojë që Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcin ta bashkojë me Kosovën.
Sipas Thaçit, takimi me kryeministrin Ramush Haradinaj, zv.kryeministrat Fatmir Limajn, Dardan Gashi e përfaqësues të tjerë politikë ka qenë produktiv dhe se që të gjithë janë pajtuar për hapat e mëtutjeshëm të Kosovës sa i përket dialogut me Serbinë.
“Kanë qenë takime shuam të mira shumë produktive të konsultimeve për hapat e mëtutjeshëm. Të gjitha proceset e ardhshme do të shkojnë në koordinim të plotë me ShBA-të me BE dhe NATO. Nuk është diçka e re kemi diskutuar për hapat e tjerë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjithë pa dallim pajtohemi që dialogu duhet të vazhdoj të marrim pjesë në takimin e 7 shtatorit gjithmonë duke punuar për një marrëveshje sa më gjithë përfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Përfundimisht dhe zyrtarisht i pëlqeu dikujt apo jo unë do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve Të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit që ajo pjesë t`i bashkëngjitet territorit të Kosovës. Unë nuk kam ndonjë nostalgji për vijat që janë përcaktuar në kohën më të vështirë të dëbimit të shqiptarëve të vitit 1956”.
Thaçi ka siguruar që për çfarëdo veprimi të ndërmarrë është në koordinim me ShBA-të, BE-në dhe NATO-në.
“Unë kur flas për korrigjim, flas për korrigjimin e padrejtësive që i është bërë popullit shqiptar. Prandaj të gjithë janë të pajtimit që duhet me i vu kufirin me Serbinë dhe kjo arrihet vetëm përmes një partneriteti të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare”.
Presidenti ka siguruar të gjithë ata që flasin për humbjen e Trepçës, Ujmanit e Gazivodës, se janë të Kosovës dhe nuk do të ketë njeri që i cenon.
“Ata që flasin për Trepcë, Ujman, Gazivodë, Mitrovicë unë ua hjek kasavetin përgjithmonë ato janë të Kosovës njëherë e përgjithmonë dhe nuk ka njeri që e cenon”.
Thaçi ka kritikuar opozitën duke thënë se po duan të nisin luftë me Serbinë.
“Nëse dikush dëshiron t’i shpallë luftë Serbisë, urdhëroni Albin Kurti e Isa Mustafa, hajrin ia pafshin”, ka thënë ai duke shtuar se “ndoshta ata kanë aftësi teknike e strategjike për luftë, gjë që nuk dihet publikisht”.
“Lufta ka përfunduar. E kemi fituar luftën. Kosova është e lirë dhe e pavarur”, ka deklaruar ai.