Thaçi ndan medaljen “Urdhri i lirisë” për familjet e dëshmorëve Zhitia, Fazliu dhe Rrahmani

Prishtinë | 23 Nën 2019 | 12:25 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani do të rivarrosen  në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në lagjen “Velania” në kryeqytete.

Për heronjtë është mbajtur edhe një akademi përkujtimore, raporton Ekonomia Online. Heronjtë fillimisht u nderuan me një minutë heshtje.

Presidenti Hashim Thaçi me këtë rast ka ndarë medaljen “Urdhri i lirisë” për familjet e dëshmorëve Zhitia, Fazliu dhe Rrahmani.

Thaçi tha se eshtrat e katër heronjve do të pushojnë pranë simbolit të kombit, Adem Demaçi.

“Me nderimet më të larta shtetërore nga sot eshtrat e atyre që dhanë jetën do të jenë pranë njeri-tjetrit pranë simbolit të kombit Adem Demaçi”.

“Secili prej tyre ra heroikisht në moshën më të mirë.  Ata ishin të rritur në frymën liridashëse me edukatën atdhetare, ishin edhe pjesë e protestave”.

“Afrim Zhitita ishte ndër të burgosurit më të rinj për çlirimin e Kosovës”.

Ai tha se ndihet krenarë që ka pasur rastin që të njoh heronj të tillë, që nuk u kursyen asnjëherë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Madje ai tha se askush nuk do të ketë mundësi që ta njollos luftën e UÇK-së, raporton EO.

“Asnjë tendencë nuk do të arrij te njollosë UÇK-së. Veteranët e UÇK-së janë krenaria jonë. 20 vjet pas luftës Kosova ka sfida për forcimin e shtetit “.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se rivarrimi i eshtrave të katër heronjve është ribashkimi në paqe ashtu siç ishin edhe në luftë, raporton EO.

Sipas tij, Kosova dhe sovraniteti janë kauza që kanë pasur çmim të lartë, për të cilën luftuan edhe heronjtë e Llapit.

“Afrim Zhitia dhe Fari Fazliu dy figura emblematike pas Nuhi Berishës e Rexhep Malës. Guximtarë të pashoq, mbajtën ndezur flakën për liri. U betuan kur shumë të tjerë ikën, mundën frikën”.

“Rivarrimi i eshtrave të katër heronjve është ribashkimi në paqe siç ishin në luftë. Krejt kjo si dëshmi që Kosova dhe sovraniteti janë kauza që kanë pasur çmim të lartë. Luftëtarët e lirisë janë të bashkuar”.

“Gjaku i tyre është pragu i krenarisë kombëtare. Kosova për të cilën luftuan, për botën që i prin Amerika janë në rreshtin e paqes. Pushoni të qetë heronj, ushtria e Kosovës është roje në pragun e lirisë”, tha ai.

Bashkëveprimtari Sabri Kiçmari tha se katër heronjtë kishin qëllime të pastra, lirinë e Kosovës.  Ai theksoi se ata na kanë lënë trashëgim një jetë për të mësuar se si duhet dashur lirinë.

“Shteti ynë po bën një veprim të çmuar po i sjellim shokët në kryeqytet pranë mësuesit simbolit të rezistencës Adem Demaçi.  Përmes sakrificës përcaktuan fatin e kombit te tyre. Veprimi i Afrimit dhe Fahriut ishte historik”.

“Heronj tanë duhet të jenë në kryeqytet për të kujtuar të kaluarën. Ne kemi nevoje për ta, për heronjtë e shokët tanë të dashur, duhet te jenë si përmbajte e bazamentit të Republikës sonë. Kemi nevoje për t’i dhënë kryeqytetit formën e lirisë. Ata mbeten fanarë të pashuar”.

Në emër të familjarëve të heronjve foli Fadil Fazliu. Me shumë emocione ai tha se po bëhet rivarrimi i katër heronjve me përcjellje ushtarake dhe ceremoni shtetërore.

“Sot po bëhet rivarrimi i katër dëshmorëve. Më meritor të organizmit që vepruan për dy dekada . Janë bërë tridhjete vjet që dëshmorët kanë qenë të ndarë në Llap”.

“Sot po i bashkojmë me përcjellje ushtarake me ceremoni më të lartë shtetërore. Jemi të emocionuar, por krenar që po i bashkojmë. Falë gjakut të dëshmorëve Kosova është e lire”, tha ai

Fillimisht për katër heronjtë që vijnë nga Llapi janë bërë homazhe në Hollin e Kuvendit nga ora 10:00 deri në orën 11:30.

Të ngjashme