Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nderuar presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani me medaljen “Urdhri i lirisë”.
Presidenti Thaçi, ka vlerësuar punën e Nishanit për popullin shqiptar dhe angazhimin e tij për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme.
Presidenti Nishani pasi ka pranuar këtë medalje ka thënë se liria është dimensioni më i madh për një popull, për një komb dhe për të gjithë njerëzimin.
“Është emocion ta marrësh medaljen e lirisë. Askush dhe asnjë se sa Kosova nuk ka sakrifikuar për të fituar lirinë. Për një gjë dua ta siguroj presidentin se për lirinë do të vazhdojë përpjekjet për sa kohë të kem”, ka thënë ai.
Të pyetur se sa e dëmton faktori politik rrugën drejt Evropës presidenti Thaçi ka thënë se sa më shumë të kemi institucione demokratike rruga do të jetë më e shkurtë.
“Faktori i brendshëm politik duhet ta ndihmoj procesin integrues të Kosovës dhe Shqipërisë, duhet te kemi institucione demokratike. Rruga e Shqipërisë është me afër, ne jemi në një proces të rëndësishëm atë të liberalizimit të vizave por e ritheksoj edhe sot shumë hapur dhe publikisht Kosova ka përmbyllur suksesshëm dhe një vlerësim shumë të lartë nga BE-ja implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave, tani liberalizimi i vizave nuk po i ndodhë Kosovës për shkak të paaftësisë dhe unitetit të BE-së në raport me Kosovën ka thënë ai.
Presidenti Nishani ka thënë se procesi i integrimeve është proces që ka rrugëtimin e tij dhe sfidat e veta.
“Procesi i integrimit ka rrugëtimin dhe sfidat e veta por ka edhe stacionet pa dyshim, ka edhe përballjen me këto sfida dhe përderisa është një proces që ka nisur para 100 vitesh do të vazhdojë gjatë pa u ndikuar nga proceset politike që ndodhin normale në kuadrin e asaj që ne i themi ushtrimi i demokracisë edhe zhvillimet e brendshme në Shqipëri janë zhvillime në kuadrin e kontekstit politikë”, ka thënë Nishani.
Presidenti ka folur edhe për vendimin e djeshëm të Kuvendit të Kosovës.
“Kosova dje ka dhënë një provim të guximshëm të demokracisë pas një debati disa orësh Kuvendi i Kosovës ka marrë vendimin e vullnetit të vet, të deputetëve të partive të ndryshme dhe të komuniteteve të ndryshme. Prandaj duhet të merren parasysh sepse ky është një emancipim i klasës politike kosovare gjithashtu edhe debatet që zhvillohen edhe në Shqipëri edhe në hapësira të tjera ku jetojnë shqiptarët mendoj se duhet të jemi të shqetësuar nëse ndodhë që kemi pak parti se nëse kemi ide të ndryshme atëherë ne duhet t’i duartrokasim”, ka thënë ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka folur edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë që ndryshe është përfolur edhe si krijimi i “Shqipërisë së Madhe” , duke thënë se kjo është propagandë e Beogradit.
Presidenti i vendit tha se Serbia e përmend “Shqipërinë e Madhe” për t’i arsyetuar veprimet e veta destabilizuese.
“Mediat serbe vazhdimisht e kanë në ballinë këtë term, ndërsa askush në Prishtinë apo Tiranë nuk e përmend Shqipërinë e Madhe. Ky term po përdoret nga Serbia për të justifikuar rolin e saj destruktiv në Kosovë, Bosnjë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi.