Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin ka biseduar për situatën politike, për perspektiven evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar presidentin Tusk për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit.
Ai ka theksuar se rajoni po vazhdon të jetë në një Status Quo të vështirë, e cila po ngadalëson shumë procese.
“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, u shpreh presidenti Thaçi.
Pas plotësimit të të gjitha kritereve, presidenti Thaçi ka thënë se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare.
Presidenti Thaçi ka theksuar se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës.