Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Kongresin Panevropian në Vjenë në panelin me presidentë të rajonit ka folur për procesin e integrimeve evropiane të rajonit.
Me këtë rast, Thaçi ka thënë se ideja e Evropës së bashkuar është duke u ballafaquar me sfida të brendshme dhe të jashtme.
Sipas tij, pa integrimin e shteteve të Ballkanit, ideja e Bashkimi Evropian nuk do të jetë e kompletuar.
“Këto diskutime janë një burim frymëzimi për përpjekjet tona, ëndrrat dhe përkushtimin për të qenë plotësisht pjesë e të ardhmes evropiane. Jo vetëm gjeografikisht, por duke ndarë vlerat që përcaktojnë kontinentin tonë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se politikat e zgjerimit kanë qenë ndër hapat më të suksesshëm të Bashkimit Evropian.
Sipas Thaçit, politika të tilla kanë transformuar shoqëritë dhe shtetet, i ka bërë ato të lira, më demoktratike, më prosperuese dhe më paqësore.
“Janë pikërisht këto elemente që ushqejnë përkushtimin tonë për një sërë reformash të thella dhe më të gjëra në të gjitha aspektet e qeverisjes. Kjo është arsyeja pse ne ndonjëherë i shtyjmë proceset që janë të vështirë apo që jo domosdoshmërisht gëzojnë mbështetjen e popullit, por që janë në interesin më të mirë të qytetarëve, dhe kontribut për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE”, ka thënë ai.
Thaçi para shumë diplomatëve e personaliteteve të tjera ka thënë se për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të ardhmen në BE.
Thaçi është duke marrë pjesë në Kongresin Panevropian, i cili këtë vit shënon 100-vjetorin e themelimit të tij.