Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Reagimi i tij pason deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.
“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrim apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi. “Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jo-vizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq, janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik.
Natyrisht se qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë edhe çështjen e demarkacionit. Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013, e them edhe tani: nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.
Ditë më herët, në një intervistë për “Politico”, Edi Rama ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së BE-së. Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra të tjera. “Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan të bashkohen në Unionin e madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama. Në një intervistë për “KTV”, ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së. “Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime të tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritare”, ka theksuar Mustafa.