Presidenti Hashim Thaçi, të mërkurën, ka ftuar në takim përfaqësuesit e partive politike për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Takimi është thirrur në ora 09:00, në një nga sallat e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, dhe do të jetë i hapur për media.
“Në orën 09:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim konsultativ përfaqësuesit e subjekteve politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale”, Thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndërsa, në ora 11:30, presidenti Thaçi pret në takim ambasadorin Zalmay Khalilzad, të cilin do ta dekoroj me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”.
“Ambasadori Khalilzad ka qenë ambasador i ShBA-së në OKB kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës”, tregohet në njoftim.
Edhe kjo ceremoni do të jetë e hapur për media, derisa zhvillohet në kabinetin e presidentit.