Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Maqedonia ku ka qëndruar për vizitë zyrtare dhe ka takuar kryeministrin, Zoran Zaev, ka thënë se Kosova është unike sa i përket dialogut përfundimtar me Serbinë.
“Të gjithë e dinë se pa një dialog dhe negociata nuk mund të arrihet marrëveshje paqësore. Rruga tjetër është e papranueshme. Sot BE është duke modernizuar dhe ka hapur dyert për ne si vende të Ballkanit Perëndimor. Por BE nuk pranon vende me probleme të hapura, prandaj ne duhet t’i zgjidhim çështjet tona dhe pastaj të ecim në rrugën evropiane”, ka thënë Thaçi, njofton Klan Kosova.
“Ne veç kemi filluar të diskutojmë. Negociatat do të intensifikohen në të ardhmen. Një marrëveshje e tillë mund të shtyhet por do të ketë kosto të madhe. Kosova ka për të bërë demarkimin e kufirit 430 kilometra me Serbisë. Kosova respekton integritetin territorial të vendeve tjera, por me Serbinë është specifike. Në këtë drejtim do të ketë një proces kompleks, por të domosdoshëm për ta përmbyllur. Do të ketë debate e edhe ndonjë refuzim”.
Thaçi në konferencën e përbashkët me Zaev ka thënë se përkrah kërkesën për rezolutë të Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën.
“Personalisht e mbështes fuqishëm. Në parlament janë partitë politike dhe ato mbetet të deklarohen. Kërkesa është e përfaqësuesve politikë. Do ta respektoj vendimin e Kuvendit të Kosovës. Në rast të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, procesi do të kalojë përmes një referendumi pastaj në parlament”.