Me kërkesë zyrtare, presidenti i vendit, Hashim Thaçi është ftuar 3 herë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, për takim, por ftesat e tij, Thaçi as nuk i ka pranuar e as nuk i ka refuzuar.
Duket se Thaçi nuk e ka mendjen tek takimi me Kurtin, pasi ai kohëve të fundit, ka zhvilluar disa takime diplomatike.
Gjatë ditës së djeshme, Thaçi zhvilloi një takim të “fshehur” me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, por kësaj here takimi i tyre u mundësua nga ambasadori për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Ndonëse presidenti nuk dha detaje për takimin, ai zgjodhi që përmes një seancë në Kuvendin e Kosovës, të raportojë për vizitën e tij në Washintgon.
“Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien. Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump.”
“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm”, tha Thaçi.
Por sipas analistit Imer Mushkolaj, presidenti Thaçi po mundihet që të marrë çdo meritë për ndonjë arritje të ndonjë marrëveshje të mundshme me Serbinë.
Mushkolaj thotë për se tashmë Kosova ka hyrë në një momentum të ri në raport me arritjen e marrëveshjes me Serbinë.
“Me siguri Thaçi ka diçka të thotë masi e ka ftu Kuvendin në seancë, gjë që është e rrallë se ne I dijmë situatat kur është ftu shpesh prej Kuvendit edhe ka refuzu të raportojë, por po duket që kësaj here ka diçka ti thotë Kuvendit, pas takimit që e ka pasë me presidentin Vuqiq, jo rastësisht ai ka refuzu të koordinohet me qeverinë pas kërkesave të kryeministrit për takim dhe si rezultat I kësaj e kemi situatën e re ku megjithatë taash a do të prezantojë një koncept dokument kushtimisht me thënë apo të paralajmërojë publikimin e ndonjë kornize të parimeve për marrëveshje me Serbinë, mbetet të shihet, mund të themi se jemi në një momentum të ri në raport me arritjen e një marrëveshje me Serbinë dhe që kjo vjen në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, kur mungon koordinimi ndërinstitucional në Kosovë e ku në anën tjetër gatishmëria e Kosovës për heqjen e taksës, po vazhdon të keqpërdoret nga Serbia edhe me vazhdimin e tërheqjes së njohjeve nga shtete të ndryshme”, tha Mushkolaj për gazeten blic.
“Më e pakta që do duhej të bërë, është që këta të koordinohen mes vete, këtu po flasim për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme e cila do duhej ti lë anash të gjitha problemet në kuptimin e inateve politike, por Thaçi njihet si një karakter i tillë, i cili vazhdimisht ka provu që ta marrë udhëheqjen e arritjes së marrëveshjes, në fakt jo shumë edhe me fajin e tij pasi ka qenë i ftuar personalisht në SHBA e edhe në Bruksel, ai thjeshtë po përpiqet që të arsyetojë këtë me përgjegjësitë e veta kushtetuese që I ka, ai do ti shkojë deri në fund idesë që ai të jetë meritor për çka do qoftë që mund të arrihet në raport me Serbinë”.
Gjatë ditës se sotme, Presidenca i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar që presidentit Thaçi t’i organizohet një seancë njoftuar më 4 mars, për t’i njoftuar në lidhje me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.