Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se ministri Arben Vitia e ka shkelur Kushtetutën me disa vendime që ka ndërmarrë në kohë pandemie.
Sipas Thaçit të gjitha institucionet duhet t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme!”.
POSTIMI I PLOTË:
Edhe pse është kohë pandemie, rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm. Në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë. Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.
Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë.
Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme!
Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj.
Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues! HTH