Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar pas lajmit se është shtyrë liberalizimi i vizave për shkak të mosratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit.
Në një shkrim në faqen e tij në Facebook, Thaçi ka goditur partitë politike, duke thënë se të gjithë jemi humbës. Sipas tij, kosovarët e humbën liberalizimin e vizave për shkak të përfitimeve ditore të disa politikanëve.
Por, ai ka thënë se Demarkacioni do të ratifikohet gjatë ditëve të ardhshme.
Thaçi po ashtu ka shtuar se demarkacioni si kauzë nuk ekziston duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare që të bashkohen për ratifikimin e marrëveshjes sepse kështu dalim fitues.
Lexoni postimin e plotë të tij:
Qytetarë të dashur,
Me të drejtë jemi duke pritur vendimin për liberalizimin e vizave. Bashkimi Evropian është gati për këtë vendim historik për shtetin e Kosovës.
Kriteri i mbetur, ai për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi duhet të plotësohet nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në ditët e ardhshme. Pa zbatimin e këtij kriteri, qytetarët e Kosovës, nga vetë politika kosovare, padrejtësisht po privohen nga lëvizja e lirë në zonën Schengen.
Nga moszbatimi i këtij kriteri, vendimi nga Brukseli për Kosovën u shty në shtator. Nëse nuk ratifikohet tash demarkacioni, as në muajin shtator nuk do të flitet dhe as të vendoset për Kosovën.
Të gjithë do të jemi humbës.
Kjo çështje madhore duhet të largohet nga agjenda llogaritare e përfitimeve ditore politike. Çdo pengesë në zbatimin e këtij kriteri qytetarët e Kosovës do t’i mbaj të izoluar.
Demarkacioni, si kauzë, nuk ekziston.
Për liberalizimin e vizave kanë kontribuar të gjithë: pozita, opozita, shoqëria civile, mediet.
Me liberalizimin e vizave të gjithë jemi fitues.
Si president i vendit, i ftoj të gjitha partitë parlamentare që kjo e arritur evropiane t’i bashkojë dhe të ratifikohet marrëveshja. HTH