Presidenti Hashim Thaçi, pas kthimit nga Samiti i Sofjes, ka thirrur një konferencë me gazetarë, “për të bashkëbiseduar hapur” lidhur me rëndësinë dhe zhvillimet e këtij samiti.
Presidenti Thaçi u tha gazetarëve se pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit është ngjarje historike, sepse Kosova merr pjesë për herë të parë në një samit të tillë.
Sipas tij, në Samitin e Sofjes është konfirmuar perspektiva evropiane e tërë Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Thaçi ka thënë se samiti në diskutimet konkrete ka qenë i përqendruar në temën e ndërlidhjes në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, si dhe në temën e sfidave të sigurisë, si terrorizmi, krimi i organizuar dhe migracioni ilegal.
“Tema e konektivitetit është zgjeruar të përshijë jo vetëm rrugët e hekurudhat, por edhe infrastrukturën digjitale, në sektorin e energjisë dhe në atë të arsimit. Në fushën digjitale është folur për shtimin e bashkëpunimit në sektorin e teknologjisë, përfshirë edhe çështjet si ulja e tarifave për roming, e-qeverisje, e-prokurim apo digjitalizim të industrive. Në sektorin e arsimit është vendosur që të dyfishohen fondet për rajonin për programin ERASMUS-Plus. Liderët e shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar Deklaratën e Sofjes e pas të cilës janë rreshtuar edhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
“Është hera e parë që Kosova merr pjesë në një samit të këtij niveli si shtet, e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ka qenë një fitore e madhe diplomatike për Kosovën dhe për të gjitha shtetet anëtare të BE-së që e njohin Kosovën. I jemi mirënjohës nikoqirit, personalisht kryeministrit Borisov të Bullgarisë, por edhe liderëve të shteteve anëtare të BE-së, liderëve të institucioneve të BE-së, që bënë të qartë se Kosova duhet të marrë pjesë si e barabartë me shtetet e tjera. Kosova është përfaqësuar denjësisht dhe ka pasur mundësi që të prezantojë rezultate pozitive, konkrete, në të gjitha fushat e diskutuara. Mbi të gjitha, u bë e qartë se përkundër sfidave, përkundër shkatërrimit që ka pësuar Kosova nga lufta, ka arritur të marrë veten shpejt si shtet dhe sot është afër ta zë hapin me shtetet e tjera të rajonit në rrugën drejt BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.
Në margjina të samitit, presidenti ka treguar se ka pasur takime bilaterale me liderë të shteteve anëtare të BE-së, si Belgjikë, Danimarkë, Suedi dhe të bisedoj ndaras me Kryeministrin e Greqisë, me Presidentin e Francës dhe me Kancelaren e Gjermanisë.
“Interesimi i sinqertë i kancelares Merkel për Kosovën dhe për rajonin u pa edhe një herë me hapin e saj që të na bëjë bashkë me Presidentin e Serbisë, ku u konfirmua edhe një herë përkushtimi ynë që të fillojmë me fazën finale të dialogut, që do të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët dhe me njohje reciproke mes nesh. Jam takuar pra edhe me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në të gjitha këto takime është theksuar vendosmëria që të lëvizim bashkë drejt integrimit në BE”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se deklarata e Sofjes, e cila është dakorduar në mes të shteteve anëtare të BE-së në konsultim me shtetet e Ballkanit Perëndimor, përmban disa pika të rëndësishme.
“Pika kryesore e deklaratës është Pika 2, e cila thotë qartë se BE-ja riafirmon mbështetjen e paekuivoke për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në pikat tjera bën thirrje për vazhdim të reformave në të gjithë sektorët, si ndërtim të institucioneve demokratike, sundim të ligjit, mbrojtje dhe respektim të të drejtave të njeriut. Pastaj fton për bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Të gjitha këto u elaboruan qartë në aneksin që u quajt Agjenda e Prioriteteve të Sofjes”, shtoi presidenti Thaçi.
Thaçi ka thënë se liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes kanë nënshkruar edhe Deklaratën e Përkrahjes për Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor.
Thaçi mban konferencë shtypi pas kthimit nga Samiti i Sofjes (Live)
Presidenti i Republikës së Kosovës , Hashim Thaçi po mban një konferencë për media, pas kthimit nga Samiti i mbajtur dje në Sofje të Bullgarisë.
Presidenti i vendit këtë pjesëmarrje e ka cilësuar si një arritje diplomatike të Kosovës. Sipas tij , ky samit ka ritheksuar perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor.
“Ky samit ka të veçantën e vet sepse Kosova për herë të parë në historinë e vet ka marrë pjesë në një samit të tillë. Është hera e parë që Kosova merr pjesë në një samit të këtij niveli si shtet me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor. Kjo ka qenë një fitore diplomatike e Kosovës“, ka thënë ai.
Ndër të tjera Thaçi ka treguar se në mbrëmjen para se të mbahej Samiti i Sofjes është takuar me Presidentin e Serbisë, Vucic.
“Në mbrëmje para se të fillojë Samiti jam takuar me përfaqësuesen e lartë Mogherini dhe me ndërmjetësimin e saj edhe me Presidentin Vucic në selinë e Bashkimit Evropian në Sofje. U përsërit përkushtimi që të fillojmë përgatitjet për fazën përfundimtare të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët jemi të vendosura që të punojmë, që të arrijmë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet për shtetet tona”, ka deklaruar Presidenti Thaçi.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/thaci-thote-se-marreveshja-me-serbine-nuk-do-ta-cenoje-sovranitetin-e-kosoves/