Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se pret që në një të ardhme të afërt të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Pas homazheve që ka bërë te memoriali i ushtarëve të rënë të KFOR-it, gjatë luftës në Kosovë, Thaçi ka thënë se beson fuqishëm në përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mundësuar arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila sipas tij, do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.
Ai ka shtuar se pasi Kosova ka hequr pengesat për rifillimin e dialogut tash Serbia nuk ka më arsye për të vonuar një proces të tillë.
Ai shprehu besimin se me administratën amerikane të udhëhequr nga presidenti Donald Trump dhe rolin aktiv dhe shumë energjik të ambasadorit Richard Grenell, gjërat do të lëvizin drejt një procesi produktiv dhe efektiv të dialogut dhe me ndonjë marrëveshje përfundimtare që sjell njohjen reciproke si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Këto ditë shënojmë ditët e lirisë së Kosovës dhe në të njëjtë kohë momentet e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, ku u dha masazhi i qartë akti i kapitullimit të Serbisë… Sot jam këtu që të nderojë ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Punojmë ngushtë që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. E tash kur kemi një situatë të favorshme që të punojmë për fuqizimin e shtetit tonë, duhet të mobilizohem të gjithë, pa dallime politike. Asnjëherë nuk kemi pas dilemë në mbështetjen e ShBA-së, dhe kjo dilemë nuk duhet të vihet kurrë nga askush”.
“Ka qenë një vendim i pritur i SHBA-së, sepse me prezencën e trupave të tyre ka paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon. Duhet të jemi shumë të përgjegjshëm në hapat tona, përballë ndërkombëtarëve dhe SHBA-së. Kam besim të plotë se administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga presidenti Trump dhe rolin aktiv dhe shumë energjik të ambasadorit Grenell, gjërat do të lëvizin drejt një procesi produktiv dhe efektiv të dialogut dhe me ndonjë marrëveshje përfundimtare që sjell njohjen reciproke të të dyja vendeve, Kosovë – Serbi dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, me heqjen e masave të reciprocitet nga ana e Qeverisë së Kosovës shpreson dhe beson që në një të ardhme të afërt do të rifillojë procesi i dialogut, dhe siç tha ai Serbia nuk ka asnjë pretekst për vonesa të dialogut.
“Nuk mund të flas për ditë, javë, muaj, por shpresoj dhe besoj që do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Besoj në zotimin e SHBA—së se do të ndërmarrin hapat e duhura në veçanti pas heqjes së barrierave që e pengojnë zhvillimin e dialogut, nga ana e qeverisë së Kosovës. Serbia nuk ka asnjë pretekst, përkundrazi çdo vonesë do t’i atribuohet asaj”, tha ndër të tjera presidenti i vendit.
I pyetur se a do të jetë sërish pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, ai tha: “roli i presidenti të vendit është i qarët. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin brenda dhe jashtë. Hierarkia institucionale e Kosovës është e qartë, mbi çdo ego, aspiratë apo injorancë”.