Presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Me ftesë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe zonjës së parë, Melania Trump, presidenti Thaçi dhe zonja e parë e Kosovës do të priten në margjinat e Asamblesë nga çifti presidencial Trump, ku presidenti Thaçi pritet të ketë një takim të shkurtër me presidentin Trump.
Gjatë vizitës pesëditore, i pari i vendit do të zhvillojë takime të shumta me udhëheqës të shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare.
Thaçi gjithashtu do të marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire, përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për punë të jashtme, Federica Mogherini.
Në delegacionin e Kosovës është edhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.