Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar një video mesazh, përmes të cilit ka thënë se qytetarët nesër duhet të votojnë dhe të përcaktojnë çfarë drejtimi do të marrë shteti.
“Vota juaj është thelbi i demokracisë, e cila përcakton se në çfarë drejtimi do të shkojë vendi ynë. Nesër, të gjithë ju që keni të drejtën e votës, dilni dhe votoni për të ardhmen tuaj, votoni për familjet tuaja, votoni për konsolidimin e shtetit dhe votoni për të ardhmen euroatlantike të vendit”, ka thënë ai.
Presidenti ka folur edhe për të rinjtë dhe ata që votojnë për herë të parë duke thënë se ata duhet të votojnë për ndërtimin e Shtetit të Kosovës.
Thaçi ka falënderuar vëzhguesit ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Falënderoj edhe njëherë të gjitha institucionet, KQZ-në, Policinë e Kosovës, OSBE-në, mediat, shoqërinë civile, BE-në dhe vëzhguesit nga BE-ja dhe nga PE-ja, ambadadat e shumta që janë angazhuar të garantojnë një proces elektoral të drejtë dhe të suksesshëm”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook dhe ka publikuar videon e mesazhit.