Nuk besoj që ka njeri në Kosovë që është i kënaqur me gjendjen e përgjithshme në vend. Pothuajse të gjithë pajtohen se gjendja në Kosovë është e keqe dhe e pashpresë (mund të ketë mospajtime vetëm sa i përket nivelit të të keqes dhe nivelit të pashpresë-sisë). Këtë gjendje të keqe e të pashpresë e vuajmë të gjithë ne që jetojmë në Kosovë, me përjashtim të një “elite” politike dhe ca veglave të tyre. Me këtë konstatim pajtohen pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës, madje edhe ata që i kanë votuar e i votojnë politikanët dhe subjektet politike që janë përgjegjëse për këtë gjendje në Kosovë.
Pa amnistuar përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje të keqe e të pashpresë në Kosovë, të cilët vetëkuptohen, janë vet qytetarët e Kosovës ata që kanë lejuar që gjendja në Kosovë të vije në këtë ditë për shkak të heshtjes së tyre, mosaktivizmit të tyre, mos-protestës së tyre dhe votimit të tyre symbyllazi. Por, kjo apati e ky pajtim i qytetarëve të Kosovës me të keqen që i ndodh shtetit të tyre dhe ardhmërisë së tyre me siguri duhet të ketë shkaqet dhe arsyet e veta.
Kësaj radhe do të ndalem vetëm në dy gjëra, të cilat mendoj se janë të rëndësishme t’i marrim nën shqyrtim. Këto kanë të bëjnë me dy bindje të qytetarëve të Kosovës, besoj të pavetëdijshme, që janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, të cilat veç e veç nuk do të ishin kaq të rrezikshme, por të kombinuara bashkë dhe prezente te shumica e qytetarëve kanë bërë që Kosova të arrijë në këtë gjendje të keqe dhe të pashpresë. Ngulitjes së këtyre bindjeve në kodin mental e moral të qytetarëve të Kosovës i ka kontribuar, herë qëllimshëm – herë paqëllimshëm, gjithë diskursi publik që nga përfundimi i luftës e deri më sot, i cili është ndikuar nga politikanët, pushtet-mbajtësit, publik-ndikuesit, etj..
1. Shteti “dërzhavë”
Historikisht shteti për ne ka qenë diçka i huaj, madje jo vetëm i huaj por edhe armiqësor. Kjo ka qenë e vërtetë posaçërisht gjatë shekullit të kaluar nën okupimin serb, ku “dërzhava” vërtet ka qenë e huaj dhe armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës. Normalisht që diçka e huaja e armiqësore duhet të luftohet, të rrënohet, të vidhet, të sabotohet, etj.. Andaj, kushdo që i ka bërë këto gjëra ndaj “dërzhavës” realisht ka bërë veprim njerëzor, kombëtar, të ndershëm e të pranueshëm shoqërisht, qoftë ai funksionar apo qytetar.
Pavarësisht se tani ekziston shteti i Kosovës, i cili nuk është as i huaj e as armiqësor dhe udhëheqësit e funksionarët e të cilit i zgjedhë vet populli i Kosovës pa detyrim, duket që ende populli i Kosovës e sheh këtë shtet si “dërzhavë”. Prandaj populli i Kosovës e pranon dhe e përligj (qoftë edhe përmes heshtjes) vjedhjen, sabotimin e rrënimin e shtetit të Kosovës nga pushtetarët. Kësisoj, pushtetarët e papërgjegjshëm e të korruptuar në Kosovë jo vetëm që nuk ndëshkohen, por as nuk shihen si fajtor e përgjegjës nga qytetarët e Kosovës për të bëmat e tyre anti-shtet. Dhe fatkeqësisht, një numër i madh i pushtetarëve të pasluftës në Kosovë e kanë shfrytëzuar maksimalisht këtë bindje të gabuar të pavetëdijshme të qytetarëve të Kosovës në raport me shtetin.
Prandaj është momenti i fundit që qytetarët e Kosovës duhet ta shkulin këtë bindje të tyre dhe të vetëdijesohen njëherë e mirë që shteti që kemi tani nuk është “dërzhava” e huaj, por është shteti ynë. Nëse vjedhja e shkatërrimi i ”dërzhavës” së deridjeshme ka qenë veprim njerëzor, kombëtar e i ndershëm, vjedhja e shkatërrimi i shtetit tonë të sotshëm është veprim jonjerëzor, kundër-kombëtar e i pandershëm. Andaj, qytetarët e Kosovës duhet ta kundërshtojnë e ta ndëshkojnë me të gjitha format e mjetet demokratike secilin pushtetar që e cenon këtë shtet në çfarëdo forme, sepse ky është shteti ynë, vendi ynë, e ardhmja jonë, e ardhmja e pasardhësve tanë.
2. Krahasimi me para/luftën
Të gjithë ata që kanë jetuar në vitet e 90-a të shekullit të kaluar (përfshirë edhe luftën) në Kosovë e dinë çfarë vuajtjesh kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës nga regjimi serb gjatë kësaj periudhe. Secili shqiptar ka mundur të mal-tretohet, të rrahet, të torturohet, të dhunohet, të internohet, të burgoset, të vritet, të masakrohet, pa asnjë arsye. Shqiptarët e Kosovës gjatë kësaj periudhe kanë jetuar pa institucione arsimore, shëndetësore, gjyqësore, në varfëri të madhe, përherë të frikësuar për jetën dhe pasurinë e vet, etj.. Thënë thjeshtë, shqiptarët e Kosovës gjatë kësaj periudhe kanë jetuar pa kurrfarë lirie dhe pa kurrfarë të drejtash njerëzore.
Tani që Kosova është çliruar nga Serbia dhe regjimi i saj liri-mbytës e çnjerëzor, natyrisht që situata në Kosovë është pakrahasimshëm më e mirë. Por, fatkeqësisht, duket se qytetarët e Kosovës ende nuk janë çliruar nga hija dhe trauma e përjetuar gjatë periudhës së viteve të 90-a të shekullit të kaluar në Kosovë. Sepse pikërisht ajo periudhë është lapidarizuar nga qytetarët e Kosovës si pikë-krahasimi për gjithçka që ndodh në Kosovë që nga përfundimi i luftës.
Normalisht që kur ke si pikë-krahasimi një gjendje të tmerrshme në të kaluarën (gjendja gjatë viteve të 90-a në Kosovë) për të krahasuar gjendjen e tanishme (gjendja në Kosovë që nga paslufta e deri më tani), sigurisht që gjendja e tanishme duket parajsë, madje duket sikur bën mëkat nëse kërkon diçka më shumë e më mirë. Ndaj qytetarët e Kosovës heshtin dhe vazhdojnë të kënaqen vetëm me faktin se janë shumë më mirë se ku kanë qenë më herët. Pushtetarët në Kosovë e kanë kuptuar mirë këtë dhe shumica e tyre e kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë ta keqpërdorin këtë qasje të qytetarëve të Kosovës.
Prandaj është koha e fundit që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen që janë duke përdorur pikë-krahasim të gabuar, fatal. Qytetarët e Kosovës duhet të mësohen që të mos kënaqen vetëm pse gjendja në Kosovë është më e mirë se gjatë viteve të 90-a, sigurisht as nuk duhet të kërkojnë që Kosova të bëhet Zvicër menjëherë. Por, duhet të kërkojnë që gjendja në Kosova të jetë në përputhje me rrethanat, mundësitë dhe burimet reale të saj, sepse ky do të ishte pikë-krahasimi real për gjendjen në Kosovë. Andaj, qytetarët e Kosovës duhet ta kundërshtojnë e ta ndëshkojnë me të gjitha format e mjetet demokratike secilin pushtetar që e pamundëson zhvillimin e Kosovës në përputhje me rrethanat, mundësitë dhe burimet reale të saj, meqë një Kosovë e tillë do të ishte në gjendje jashtëzakonisht më të mirë se sa është sot dhe kjo do të ishte e mundshme realisht.