Kuvendi i Kosovës të martën e ardhshme pritet ta miratojë një rezolutë, në të cilën do të shprehet qëndrimi i përfaqësuesve të popullit kundër “korrigjimit të kufijve” me Serbinë. Mirëpo Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka thënë gazetës “Zëri” se sovraniteti i Republikës së Kosovës mbrohet vetëm nga Kushtetuta e vendit e jo nga rezolutat e miratuara në Kuvend, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka në plan ta ndalë iniciativën e tij për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë edhe nëse Kuvendi i Kosovës të martën e ardhshme e miraton një rezolutë, në të cilën shprehet qëndrimi i legjislativit kundër ndryshimit të kufijve të vendit.
Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka thënë gazetës “Zëri” se sovraniteti i Republikës së Kosovës mbrohet vetëm nga Kushtetuta e vendit e jo nga rezolutat e miratuara në Kuvend.
“E para, Presidenca dhe çdo institucion tjetër i Republikës së Kosovës i respekton vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E dyta, integriteti territorial, sovraniteti i Republikës së Kosovës mbrohen vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe jo me ndonjë rezolutë ose me ndonjë deklaratë e cila mund të bëhet qoftë nga Kuvendi, qoftë nga kushdo tjetër”, ka thënë Çollaku për “Zërin”.