Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot udhëton për në Bruksel, ku do të pritet nga përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian.
Atje, kryetari i Kosovës do të pritet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin do të bisedojë për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës.
I pari i vendit do të takohet edhe me Kryetarin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, nga i cili do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes së Parlamentit Evropian për Kosovën.
Ndërsa, të enjten, presidenti Thaçi do zhvillojë një takim edhe me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.
Edhe në këtë takim do të bisedohet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Thaçi do të kërkojë nga Bashkimi Evropian jetësimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.