Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur pas takimit të sotëm që ka pasur me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiqin dhe Shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Sipas Thaçit, takimi i sotëm ka qenë njëri ndër takimet më të vështira gjatë këtyre 6 viteve të fundit bisedime.
“Diskutuam për të ardhmen evropiane të Kosovës për procesin e dialogut, për përmirësimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu edhe për hapat konkret që duhet t’i ndërmerr Kosova në raport me Bashkimin Evropian në mënyrë që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave “, tha Thaçi.
Presidenti i vendit tha se bashkë me delegacionin kosovar i është konfirmuar Mogherinit se Kosova është gati për dialog, dhe negociata për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë si parakusht për fqinjësi të mirë dhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan por edhe për të ardhme edhe më të sigurt për të u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.
Ai foli për takimin në nivel presidentësh në prezencën e Mogherinit, ku tha se ky takim ishte më i vështiri ndonjëherë.
“Ka qenë një takim i shkurtë, dhe jo i lehtë dhe shumë i vështirë ndoshta më i shkurti dhe i rëndi prej të gjitha takimeve që kemi zhvilluar në këto 6 vite të fundit,por përkushtimi ynë për të ardhme evropiane është serioz, i përgjegjshëm, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshje përfundimtare”, tha Thaçi.
Thaçi tha se ka shumë shpresë për arritjen e një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë edhe pse është e vështirë pasi sipas tij Serbia ende po jeton me mentalitetin e së kaluarës dhe Kosovën po e sheh si pjesë të saj.
“Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se Serbia ende mendon që Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës, mashtrohen, gabojnë rëndë, ka qenë takim shumë i rëndë me zotin Vuciq dhe ai duhet ta kuptoj dhe vet Serbia që Kosova është vend sovran, mirëpo do të punojmë që të arrijmë marrëveshje përfundimtare që do të jetë fituese dhe kredibile edhe për Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë ai.
Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar të fitoj dhe të gjej zgjidhje me Serbinë dhe sipas tij BE është duke dhënë mbështetje për arritjen përfundimtare të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Ai tha se kjo marrëveshje është në interes të dy palëve për paqe dhe stabilitet në Ballkan.
Thaçi në fund shtoi se marrëveshja përfundimtare ka kuptim vetëm nëse është marrëveshje finale dhe që nënkupton njohjen formale dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat evropiane.