Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker, raporton Ekonomia Online.
Thaçi ka thënë se është gjithmonë mirënjohës deri në përulësi për fjalët emblematike dhe monumentale të ambasadorit Walker për të vërtetën që ia ka prezantuar botës, për masakrën e Reçakut dhe gjenocidin që e ka kryer Serbia në Kosovë.
“Ne kemi pasur fatin edhe gjatë luftës të punojmë bashkërisht në tejkalimin e situatave të rënda çfarë kanë qenë dhe unë ndjehem mirë që bashkëluftëtarët e mi e kanë mbajtur fjalën në raport me bashkëpunimin me ambasadorin Walker dhe gjithë ndërkombëtarët edhe në atë periudhë kohore. Natyrisht, ambasadori Walker nganjëherë është edhe kritikë ndaj nesh që jemi në politikë, por gjithmonë këto kritika kanë qenë tepër të mirëseardhura për t’u përmirësuar. Edhe kur na ka kritikuar e kemi dashur, e kemi respektuar dhe e vlerësojmë lart punën dhe angazhimin e ambasadorit Walker për shtetin e Kosovës, për popullin e Kosovës, sepse dëshiron ta shoh Kosovën më mirë të konsoliduar. Unë besoj se në kuadër të kësaj edhe interesimi i ambasadorit Walker për ndërtimin e institucioneve të reja, qeverisë së re, është shumë legjitim, shumë i drejtë, sikurse edhe pretendimi ynë që të lëvizim më shpejtë përpara”, u shpreh Thaçi.
E ish-ambasadori William Walker ka deklaruar së është krenar në atë së çfarë është bërë në Kosovë.
Në anën tjetër, ambasadori William Walker e falënderoi presidentin Thaçi dhe theksoi se vjen në Kosovë sa më shpesh që mundet dhe është shumë krenar për të gjitha ato që janë arritur për 20 vjet.
“Kritikoj për gjërat që mund të ishin bërë më mirë, por jam shumë krenar me atë se çfarë është Republika e Kosovës sot, posaçërisht në krahasim me atë se çfarë ishte 21 vjet më parë. Sot vizitova presidentin. Dje isha në Krushë dhe kisha dëgjuar se çfarë ka ndodhur atje, po aq e ndoshta edhe më keq se në Reçak. Po vazhdoj të mësoj gjëra për Kosovën. Kjo është një nga arsyet pse vijë këtu. Unë, po ashtu, vij këtu për të mësuar se çfarë po ndodh politikisht dhe ju jeni momentalisht në mes të një kohe politikisht interesante. Mendoj se Kosova ka nevojë për qeveri. Ju i keni humbur 100 ditë. Sot është dita e 101-të apo 102-të dhe shpresoj se nuk do të marrë edhe shumë kohë për t’u formuar qeveria”, u shpreh ambasadori Walker.
Presidenti Thaçi theksoi se ardhjet e shpeshta të ambasadorit Walker dëshmojnë përkushtimin, dashurinë dhe respektin e tij për Kosovën dhe popullin tonë.
Ambasadori William Walker tash e disa ditë po qëndron në Kosovë, ku erdhi me rastin e 21 vjetorit të masakrës së Reçakut.