Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se do të respektojë afatet ligjore dhe kushtuese për thirrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit, pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, raporton Ekonomia Online.
“… në kohë të rregullt kushtetuese dhe sipas ligjeve”, u përgjigj shkurt Thaçi, i pyetur nga gazetarët se kur do ta thërras seancën e konstituimit të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit.
Ai këto komente i ka bërë pas homazheve që bëri në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit ka filluar të rrjedhë edhe zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.
Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30-ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Kushtetuta e parasheh që presidenti i Kosovës të thërrasë seancën e parë të Kuvendit, por Kuvendi mund të mblidhet dhe vetë.