Intervistë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për ecurinë e zgjedhjeve, premtimet, sfidat, dialogun, demarkacionin, koalicionet.
Deutsche Welle: Zoti President, si e vlerësoni fushatën e partive politike që u zhvillua për dhjetë ditë në Kosovë?
Thaçi: Mendoj se ka qenë një fushatë e qetë, korrekte, e ballafaqimit të ideve, koncepteve dhe vizioneve, një fushatë moderne e stilit evropian, një fushatë model për rajonin. Natyrisht që është shumë me rëndësi që të kemi një pjesëmarrje sa më të madhe të njerëzve në zgjedhje – nga të gjitha komunitetet. Prandaj unë kam besim të plotë se Kosova me 11 qershor, do ta japë një provim të rëndësishëm, ate të organizimit të zgjedhjeve të mira dhe se ato do të jenë një bazament i fuqishëm për ndërtimin e institucioneve të reja.
DW: Në veri të Kosovës ka pasur disa incidente, madje edhe me armë zjarri, çfarë informacionesh keni për këto incidente?
Thaçi: I gjithë faktori relevant që merret me zgjedhjet, por edhe mekanizmat e sigurisë vendore edhe ndërkombëtare janë të angazhuara që zgjedhjet të jenë të organizuara mirë në të gjithë territorin e Kosovës. E di që ka pasur kërcënime, ka pasur probleme, ka pasur shantazhe të ndryshme prej eksponentëve të ndryshëm të një subjekti të caktuar politik serb ndaj oponentëve të tjerë. Por përsëri mua më mban shpresa që zgjedhjet do të jenë mirë në çdo cep të Kosovës. Ndaj të gjithë pretenduesve për prishjen e imazhit të këtyre zgjedhjeve do të jemi të pakompromis dhe do të ballafaqohen me ligjin.
DW: Zoti President, sa jeni i kënaqur me premtimet dhe cili është vlerësimi i juaj i qëndrimeve të politikanëve dhe partive politike në këtë fushatë?
Thaçi: Unë nuk jam pjesë aktive e garës elektorale, por jam pjesë aktive udhëheqëse e ftesës për qytetarët e Kosovës, që të dalin e të votojnë masivisht, që të jenë zgjedhje të mirëfillta sipas standardeve dhe kritereve evropiane. Kam ftuar liderët që të ulin tensionet, fjalorin konfrontues dhe armiqësor, prandaj dua ta potencoj që si President i vendit jam i kënaqur me tonin dhe mesazhet e lidershipit kosovar për elektoratin.
DW: Çështja e demarkacionit është një prej sfidave të para që e pret Kosovën pas zgjedhjeve. Do të ketë ndryshime në këtë çështje?
Thaçi: Unë i kam dëgjuar premtimet e liderëve politikë, por pavarësisht premtimeve, ne duhet të punojmë që zgjedhjet të jenë të mira të dielën dhe menjëherë të hënën të punojmë për menaxhimin e rezultatit zgjedhor. Pastaj kushdo që vjen në qeveri do të merret me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjen e demarkacionit e të tjera. Duhet të punojmë bashkë për ndërtimin e një konsensusi të mirëfilltë edhe pozitën edhe me opozitën për çështjet që lidhen me interes të përbashkët shtetëror, ku do të merren natyrisht edhe me themelimin e ushtrisë së Kosovës në të ardhmen e afërt, natyrisht në koordinim të plotë me NATO, SHBA dhe partnerët e tjerë në një përfshirje gjithëetnike në Kosovë. Ndaj mendoj se gjerat do të lëvizin në drejtim të duhur të kemi një qeverisje që merr vendime, një qeverisje që lëvizë më shpejtë dhe më mirë përpara.
DW: Në dialogun me Serbinë a do të ketë ndryshim formati apo do ta vazhdojë kështu siç ka shkuar deri tash?
Thaçi: Dialogu do të kalojë në nivel të presidentëve, do të zhvillohet në Bruksel, do të punohet në një qasje që të kemi sa më shpejt një kornizë të gjerë politike të marrëveshjes që do të çonte drejt një fqinjësie të mirë, bashkëpunimi, normalizimi dhe pajtimi ndërshtetëror.
DW: Kur jemi të BE-ja, ju keni pasur kritika të ashpra ndaj BE-së ndaj qasjes së saj ndaj Kosovës, keni kritikuar ashpër edhe Johanes Hahn, pse po ndodh kjo me Kosovën?
Thaçi: Unë nuk ia heq asnjë pikë asaj çfarë kam thënë më herët. Unë nuk kam kritikuar, por kam shprehur shqetësimin e vonesës së BE-së me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit. Kjo vonesë dhe ky hendek që është krijuar, ka krijuar hapësirë për ideologji joeuroatlantike në rajonin tonë. Prandaj është koha që edhe Brukseli të lëvizë më shpejtë në mënyrë me dinamike në afrimin e Kosovës me BE-në. Nga ana tjetër, BE-ja duhet të largohet nga pozicioni neutral ndaj Kosovës dhe të marrë pozicionin e shumicës së vendeve të BE-së, që e kanë njohur Kosovën. Pra Brukseli nuk mund të sillet neutral me një vend të pavarur dhe sovran.
DW: Kjo sjellje e Brukselit, siç keni thënë, e mundëson interferimin e forcave tjera në rajon. Si e vlerësoni përfshirjen e Rusisë në rajonin e Ballkanit?
Thaçi: Përderisa BE-ja po vonohet, të tjerët po i kryejnë punët e veta, qoftë Rusia qoftë elementët fondamentalistë, qoftë elementë të tjerë. Ne sot jemi dëshmitarë që Rusia ka një prezencë të fuqishme të ndikimit në Serbi, Republika Srpska, pretendimet për puç ushtarak në Mal të Zi, pretendimet për ndikim në Maqedoni, ndërsa në Kosovë ky pretendim nuk do të realizohet. Por, nëse i shihni prezantimet në medien ruse “Sputnik”, atëherë shihet që është një fushatë negative kundër Kosovës. Shqetësimi është pse mediet kosovare aq shpejt i marrin lajmet e rreme nga “Sputnik”-u rus për Kosovën dhe shqiptarët. Megjithatë këto nuk do të kenë ndikim dhe ndihem mirë që jam President i një vendi që mbi 90% të tyre janë pro NATO dhe pro BE.
DW: Kosova është zyrtarisht pjesë e koalicioni global kundër terrorizimit. Por feja në Kosovë është kthyer në një element shpërdorimi dhe manipulimi. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtij fenomeni?
Thaçi: Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet kampion rajonal në luftën kundër terrorizimit, ekstremizmit. Kosova është pjesë e aksionit global antiterrorist. Ajo ka marrë vlerësimet më të larta edhe nga SHBA-së me mundësi të veta të kufizuara. Ka bërë një punë të madhe dhe të çmuar kundër fundamentalizmit, terrorizimit. Njerëzit në Kosovë janë tolerantë, qoftë në fe qoftë në politikë dhe në aspekte të tjera dhe këtë harmoni qytetare nuk do të mund ta cënojë asnjë element i keq.
DW: Do të bashkëpunojë Kosova me Gjykatën Speciale?
Thaçi: Kosova i ka kryer obligimet e veta, ka bashkëpunuar në tërësi dhe natyrisht se do të vazhdojë t’i kryer të gjitha obligimet e veta karshi këtij procesi, sepse në fund të fundit ai është edhe proces kosovar.
DW: Zoti President, pas zgjedhjeve ju sigurisht që do t’ia jepni madantin secilës parti që fiton shumicën në zgjedhje apo jo?
Thaçi: Unë do të respektoj kushtetutën dhe ligjet, fituesi i zgjedhjeve ka obligim që ta themelojë qeverinë sa më shpejt që është e mundur.
DW: Pra ju nuk keni rezerva ndaj kandidatëve të caktuar?
Thaçi: Legjitimiteti qytetar për mua është mbi çdo interes politik, ai është interesi i shtetit i së ardhmes së qytetarëve të Kosovës dhe atë legjitimitet nuk mund ta kontestojë askush. Unë do ta luaj rolin tim unifikues, politik dhe qytetar kushtetues dhe ligjor.
DW: Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës para zgjedhjeve?
Thaçi: Mesazhi për qytetarët e Kosovës është dilni dhe votoni, votoni për të ardhmen tuaj, votoni për familjet tuaja, votoni për konsolidimin e shtetit dhe votoni për të ardhmen euroatlantike të vendit.