Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vendosur kurore lulesh në memorialin e 14 qytetarëve serbë të vrarë menjëherë pas luftës, 17 vite më parë, në fshatin Grackë të Lipjanit.
Këtë akt kriminal, presidenti Thaçi e ka quajtur veprim jo vetëm kundër viktimave që ishin duke punuar në arë, por edhe akt kundër lirisë së Kosovës dhe të ardhmes së saj demokratike.
“Sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve. Çdo krim duhet të zbardhet dhe të ndëshkohet. Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer”, ka thënë presidenti Thaçi.
Gjithashtu, presidenti Thaçi ka thënë se duhet të zbardhet njëherë e përgjithmonë fati i të gjithë të zhdukurve, qofshin shqiptarë, serbë, romë apo çfarëdo komuniteti tjetër.
“Të gjithë kemi përgjegjësi të punojmë në këtë drejtim. Kemi përgjegjësi para familjeve të tyre dhe të ardhmes së fëmijëve tonë. Ne duhet ta ndihmojmë njeri-tjetrin. Dhimbja e çdo nëne është e njëjtë për humbjen e familjarëve të vet”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, për pajtim dhe bashkëpunim në mes të popujve të rajonit tonë është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e nevojshme drejtësia.
“Si Kosovë, kemi arritur shumë në këto 17 vite që nga lufta. Kemi filluar të ndërtojmë ura të komunikimit dhe të bashkëpunimit. Në një ditë të afërt, kjo do të sjellë besim dhe pajtim mes komuniteteve dhe popujve”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se vetëm duke ngadhënjyer drejtësia do të ndodhë pajtimi, e pajtimi do të ndodhë në një të ardhme të afërt, sepse ka vullnet për këtë.
“Vetëm pajtimi dhe bashkëpunimi e bën Kosovën dhe rajonin vërtetë evropian”, ka përfunduar presidenti Thaçi.