Thaçi ka vizituar ekipin e Kosovës në fshatin olimpik në Pyeongchang, duke i uruar suksese sportistit të vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, skitarit, Albin Tahiri.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vizituar ekipin olimpik të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore dhe i ka uruar suksese përfaqësuesit të vetëm të shtetit tonë, skitarit, Albin Tahiri.
Thaçi ka përsëritur se vetë pjesëmarrja e Kosovës në LOD është fitore e madhe për shtetin tonë, ndërsa gjatë ditës së djeshme këtë e konsideroi si “dhurata më e mirë për 10 vjetorin e Pavarësisë”.
“Në fshatin olimpik të Pyeongchangut, sot vizitova ekipin olimpik të Kosovës. Skiatorit kosovar, Albin Tahirit, i urova suksese në garat që do t’i zhvillojë në ditët e ardhshme. Vetë pjesëmarrja e tij dhe e Kosovës në Olimpiadë, është një fitore e madhe për shtetin tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në Lojëra Olimpike Dimërore. Ndërsa hera e parë që Kosova mori pjesë si shtet në Lojëra Olimpike ishte në ato verore më 2016 në Rio të Brazilit, raporton Express.
Kosova ishte shteti i 71-ti në listën e ekipeve që parakaluan në stadiumin olimpik të Pyeongchangut në Korenë e Jugut. Renditja e shteteve u bën në bazë të alfabetit korean.
Ekipit olimpik të Kosovës i priu bartësi i flamurit, skitari Albin Tahiri. Ekipi u përbë edhe nga trajneri Agim Pupovci, kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi dhe zyrtari për media, Kushtrim Krasniqi.
Tahiri është sportisti i vetëm që e përfaqëson Kosovën në këto lojëra. Ai ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik.
Tahiri do të garojë në sllallom, sllallom të madh, super sllallom të madh, lëshim të shpejtë dhe kombinim alpik.