Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden, e ka krijuar një epërsi prej 13 për qind sa i përket përkrahjes nga populli amerikan.
Sondazhi është realizuar nga Ipsos dhe agjencia Reuters. Duket se votuesit e mundshëm janë të zemëruar me politikat e presidentit të tanishëm amerikan rreth punës së tij për luftimin e Coronavirusit dhe protestat kundër brutalitetit policor.
Në sondazhin e kryer nga data 10 deri më 16 qershor, 48 për qind e votuesve të regjistruar thanë se do ta përkrahnin Bidenin, ndërsa 35 për qind do ta votonin Donald Trumpin.
Epërsia e kandidatit Biden është më e larta që është regjistruar ndonjëherë në sondazhet e realizuara nga Ipsos dhe Reuters që nga fillimi i garës brenda Partisë Demokratike për caktimin e të nominuarit në pjesën e parë të këtij viti.
Edhe në një sondazh të ngjashëm, të realizuar nga televizioni CNN më herët gjatë këtij muaji, Joe Biden kishte epërsi prej 14 për qind ndaj Donald Trumpit.
Sipas sondazhit të ri, 57 për qind e të rriturve amerikanë nuk janë të kënaqur me performancën e presidentit Trump, ndërsa vetëm 38 për qind janë të kënaqur.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen në nëntor të këtij viti. Joe Biden më parë ka shërbyer si nënpresident i Shteteve të Bashkuara. Ai njihet për qëndrimet e tij në përkrahje të Kosovës.