Ministri i Financave Bedri Hamza ka marr vendim sot për themelimin e Bordit të Ankesave, i cili do të zgjidh ankesat e bizneseve ndaj vendimeve të Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Bizneset deri më sot kanë pritur me vite për zgjidhjen e ankesave nga ana e Divizionit fiskal pranë Gjykatës themelore në Prishtinë. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës dhe procedurat, ankesa e biznesit do të zgjidhet brenda 30 ditësh.
Me këtë rast, biznesi jo vetëm që fiton kohë për zgjidhjen e ankesave, por gjithashtu ankesat e biznesit do të trajtohen nga anëtarët profesional të Bordit të Ankesave, të cilët do të vendosin në panel. Kjo mënyrë e re e vendimmarrjes e bënë më transparente dhe më të avancuar mënyrën e vendimmarrjes për ankesat e biznesit, si dhe rritë kualitetin profesional të vendimmarrjes.
Themelimi i Bordit të Ankesave, ka qenë kërkesë e kahershme e komunitetit të biznesit, për gjetur një zgjidhje të ankesave të biznesit në afat sa më të shkurtë, dhe jo siç ka qenë deri më tani që janë detyruar që të presin me vite nëpër Gjykata për zgjidhjen e ankesave të tyre.
Me këtë reformë, Ministri Bedri Hamza po e përmbyll ciklin e reformave fiskale për vitin 2018, si një ndër vitet më të suksesshëm. Masat që janë marrë gjatë këtij viti janë masat më të mëdha që janë marrë ndonjë herë në Kosovë, duke filluar nga lirimet nga tatimin doganore për lëndën e parë, gjysmë produkti, linjat e prodhimit, pjesët rezerve dhe pajisjet e IT-së, më pas lirimi nga tatimi i akcizës për lëndët ndihmëse në procesin e prodhimit, reforma e TVSH-së, si dhe tani themelimi i Bordit të Ankesave.
Ministria e Financave reformat në politikat fiskale do ti vazhdojë edhe në vitin 2019, me qëllim të krijimit të një klime të favorshme të të bërit biznes, duke e theksuar kështu rolin e biznesit në Kosovë, si bartës kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.