Thirrje për depolitizimin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve

Prishtinë | 19 Gus 2024 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, në Beograd u mbajt një konferencë ku shoqatat e familjarëve të personave të pagjetur serbë dhe shqiptarë nga Kosova bënë thirrje për depolitizimin e menjëhershëm të procesit dhe zbulimin e fatit të 1612 personave të zhdukur.

Sipas përfaqësuesve të familjarëve shqiptarë dhe serbë të personave të pagjetur nga Kosova, nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Edhe përpjekjet ndërkombëtare nuk kanë arritur të kapërcejnë bllokadat politike që vazhdojnë të pengojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Përfaqësuesit e shoqatave theksojnë se problemi kryesor është bllokimi i punës së Grupit Punues, për të katërtin vit, dhe bëjnë thirrje që kjo çështje të trajtohet si një problem humanitar.

Bajram Çerkini, nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur në Prishtinë, thotë se familjaret janë për 25 vjet në ankth, sepse, sipas tij, politika ka bllokuar plotësisht punën e Grupit Punues.

“Komisionet qeveritare merren me çështje të vogla dhe joserioze. Ne, familjarët, nuk do të ndalemi. Politika duhet të largohet nga ky problem sa më shpejt, dhe ky problem duhet të trajtohet si një çështje humanitare, ashtu siç është propozuar para katër vjetësh. Politika ka qenë dhe duhet të mbetet larg nga ky proces, ndërsa puna duhet të kryhet nga një këndvështrim humanitar, me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Përndryshe, duhet të bëhet presion i madh si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë, që të lihen politikat anash dhe të hapet seriozisht kjo çështje, e cila është jashtëzakonisht e dhimbshme”, thotë Çerkini.

Në konferencën “Të zhdukurit, askush nuk kujdeset”, shoqatat shqiptare dhe serbe njoftuan se do të punojnë së bashku për të vërtetën dhe drejtësinë, për të shpejtuar zbardhjen e fatit të 1612 personave të zhdukur.

Natasha Shqepanoviq nga Shoqata e viktimave serbe, theksoi se qëllimi i tyre është të tërheqin vëmendjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Procesi është ndalur plotësisht, nuk ka identifikime dhe ekshumime të reja, statistikat janë shkatërruese. Kjo çështje duhet të zgjidhet ekskluzivisht si një çështje humanitare dhe civilizuese, pa ndërhyrje politike”, tha Shqepanoviq.

“Ne nuk do të dorëzohemi pavarësisht nga të gjitha këto fakte”, shtoi ajo.

Kryetar i Komisionit për Personat e Pagjetur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, njoftoi se kërkimet do të rinisin në disa lokacione në Serbi, përfshirë Batajnicën, Peruçacin dhe Petrovo Sellon. Ai theksoi se, me gjithë bllokimin katërvjeçar të Grupit Punues, duhet të ketë përpjekje për të rifilluar punën dhe për të diskutuar çështje të rëndësishme si arkivat dhe lokacionet.

Në konferencë u theksua se çështja e personave të pagjetur është përfshirë në marrëveshjet e Uashingtonit dhe Brukselit, por deri tani nuk ka pasur rezultate apo aktivitete që do të rikthenin besimin te familjarët./rtk

Të ngjashme