Faktori ndërkombëtar dhe ai vendor duhet të jetë më syçelë për vlerat e luftës të UCK-së dhe luftëtarëve të saj, përndryshe protestat paqësore do të mund të radikalizohen shumë shpejt. Kështu u tha ndër të tjera në protestën e organizuar në Drenas nga Shoqatat e Dala nga Lufta kundër konfirmimit të dënimit të Gjykatës së Apelit, rreth rastit “Drenica 2”, shkruan gazeta Zeri.
Kryetari i degës së OVL-ve në Drenas, Enver Hajdari ka thënë se vendimi i Apelit është i papranueshëm dhe i orkestruar në Beograd. “Kemi dalë për të protestuar, për të shprehur indinjatën tonë për padrejtësinë që po u bëhet çlirimtarëve edhe 16 vite pas përfundimit të luftës. Kjo është e papranueshme dhe tentim për të barazuar çlirimtarin me kriminelin. Akuzat e pabaza janë akuza të orkestruara nga Beogradi fatkeqësisht të zbatuara nga disa gjyqtarë e prokuror ndërkombëtarë”, ka thënë Hajdari.
Sipas tij, kjo situatë nuk e stabilizon vendin, përkundrazi, e çon atë në destabilizim.
“Nga këtu u bëjmë thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë të dëmtojnë vlerat e UÇK-së, se siç ditëm të mbrojmë luftën do të dimë të mbrojmë edhe këto vlera sublime”, ka thënë Enver Hajdari. Ai u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që kriminelët dhe fajtorët t’i kërkojnë nëpër enklavat serbe.
“Ju, të ashtuquajtur gjykatës dhe prokurorë, adresën e kriminelëve e keni në enklavat serbe që shëtisin lirshëm ndërsa duart i kanë të përgjakura me gjakun e fëmijëve, grave, pleqve dhe të pafajshmëve”, ka përfunduar Hajdari.
Ndërkohë Xhemë Binaku nga komuna e Drenasit ka thënë se ushtarët e dënuar të UÇK-së kanë nevojë sot më shumë se asnjëherë.
“Nevoja e mbështetjes për ish ushtarët e UÇK-së të dënuar pa asnjë bazë është shumë e madhe. Gjykata e Apelit e dominuar nga gjyqtarë diskriminues ndërkombëtarë ka dënuar sakrificën e ushtarëve të UÇK-së. Me këtë janë goditur jo vetëm këta luftëtarë, por edhe reputacioni i shkëlqyeshëm i UÇK-së që kishte fituar përkrahjen e faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Binaku.