Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, e cila e ka frymëzuar një gjeneratë të re të aktivistëve për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë vit, kërkoi nga liderët botërorë që t’i dëgjojnë më shumë të rinjtë.
“Unë nuk jam person që mund të ankohem se nuk më kanë dëgjuar. Shkenca dhe zëri i të rinjve nuk është në qendër të bisedës, por duhet të jetë”, tha ajo.
Disa aktivistë të rinj kanë udhëtuar drejt qytetit zviceran këtë vit, duke i ndjekur hapat e Thunberg-ut.
Në mesin e tyre është edhe shkencëtari i ri irlandez, Fionn Ferreira, i cili e ka krijuar një teknikë për parandalimin e depërtimit të grimcave të plastikës në oqeane.
Thunberg shtoi: “Kjo ka të bëjë me ne dhe me gjeneratat e ardhshme dhe me ata njerëz që janë prekur sot. Ne duhet ta bëjmë shkencën pjesë të bisedimeve”, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.