Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka përfunduar gjatë ditës së djeshme numërimin e të gjitha votave nga qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
E në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me procesin e votimit janë dorëzuar vetëm dy ankesa gjatë ditës së sotme, ndërkaq 19 janë dorëzuar për thyerje të heshtjes zgjedhore. Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, Mulë Desku, kryetar i sekretariatit të PZAP-it.
“Gjatë të shtunës dhe të dielës në PZAP janë dorëzuar 19 ankesa kryesisht për thyerje të heshtjes zgjedhore. 16 ankesa janë dorëzuar nga Birrni kurse 3 janë nga subjekti Alternativa. Ndërkaq gjatë ditës së sotme janë dorëzuar vetëm 2 ankesa njëra nga Alternativa dhe tjetra nga Lidhja Demokratike e Kosovës që kanë të bëjnë me procesin e votimit gjatë ditës së djeshme”, ka thënë Desku.
Ndërkaq KQZ-ja sot ka bërë të ditur se brenda pak ditëve do të fillojë edhe numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta.