Ata janë tifozët më të zjarrtë të Kombëtares, dhe nuk e kanë lënë asnjëherë vetëm pavarësisht momenteve të vështira që ka kaluar.
Bëhet fjalë për grupin e njohur “Tifozët Kuqezi”, që ditën e sotme ka marrë një vendim ekstrem për të ardhmen.
Duke parë se çfarë ka ndodhur në ndeshjen ndaj Izraelit, grupimi i tifozëve të Kombëtares ka marrë vendimin për të bojkotuar Kombëtaren.
Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook” tregojnë arsyet e këtij vendimi:
Të nderuar tifozë,
Ajo që ndodhi në ndeshjen Shqipëri – Izrael, nuk kishte të bënte asgjë me lojën e bukur të futbollit. Atë ditë, tifozët shqiptarë prezent në stadium (dhe jo vetëm) ishin viktimë e terrorit shtetëror. Andaj, përshkrimi apo prezantimi i çfarëdo fakti, nuk mund ta përshkruan terrorin që tifozët shqiptar përjetuan nga policia e shtetit shqiptar. Ne jemi tifozë, që e dojmë këtë Kombëtare dhe këtë Shqipëri.
Për arsyen e lartcekur dhe duke parë që ky terror i policisë po përsëritet tash e disa ndeshje, Tifozat Kuq e Zi, janë të detyruar të marrin vendim për BOJKOTIMIN e të gjitha ndeshjeve të radhës brenda, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Lihtenshtajnin. Kombëtarën do ta përcjellim vetëm në transferta, atje ku na respektojnë.
Me këtë rast, ftojmë policinë e shtetit shqiptar, që të pajisur me kallashnikov dhe me armë tjera, të bëjë tifozin në tribunë.
Për veprimet dhe format e organizimeve tona të radhës, do të ju njoftojmë me kohë.
Me sinqeritet,
Tifozat Kuq e Zi