Anësori i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, i gëzoi tifozët e tij me deklaratën se nuk do të largohet nga “Anfield” këtë verë, duke shtuar se dëshiron ta fitojë titullin e Premierligës me këtë skuadër. Pas këtij lajmi, tifozët e Liverpoolit kanë reaguar në Twitter.
Përfaqësuesi zviceran luajti 90 minuta vetëm shtatë herë gjatë sezonit të tij debutues në “Anfield”, por njëra ndër këto shtatë ndeshja ishte pikërisht fitorja me rezultat 4:0 kundër Barcelonës.
Pasi Mohamed Salahu luan në pozitën e preferuar të Shaqirit, në krahun e djathtë të sulmit, Shaqiri është i vetëdijshëm se do ta ketë të vështirë ta zë një vend në formacionin e parë. Por, ai është i lumtur të jetë vetëm pjesë e skuadrës.
“Jam në Liverpool FC, klubin më të mirë në Evropë. Trajneri ka shumë opsione të mira dhe ai duhet të vendosë se kush do të luajë”, ka thënë Shaqiri në një intervistë për Goal dhe SPOX.
“E dija para se të transferohesha këtu se konkurrenca për vendet në formacionin e parë do të jetë shumë e vështirë. Unë e kam një kontratë këtu dhe planifikoj të qëndroj”.
Kjo deklaratë e 27-vjeçarit i gëzoi shumë tifozë të Liverpoolit të cilët reaguan në Twitter.
“Sjellje e mrekullueshme, e di se nuk do të jetë titullar, por dëshiron ta bëjë punën e tij kurdo që t’i jepet mundësia”.