Teknologjia e Informacionit është sektori i cili mund të ndikojë direkt në rritjen ekonomike dhe përfshirjen e femrave në tregun e punës. Kështu u vlerësua në Konferencën “Vajzat në TIK” e cila u organizuar në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, që u mbajt sot në Prishtinë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me këtë rast ka vlerësuar se sektori i teknologjisë së informacionit është një nga mundësitë më të mira që ka vendi ynë për të ecur shpejt në zhvillimin ekonomik dhe shtoi se buxheti institucional për mbështetjen e sektorit të teknologjisë informative duhet të dhjetëfishohen.
“Të rinjtë tanë janë shumë të pasionuar me teknologjitë e informacionit, por vetëm pasioni nuk mjafton. Interesi i drejtpërdrejtë nacional është që potencialin dhe pasionin e të rinjve tanë për IT ta shndërrojmë në industri të IT-së, e cila pastaj, jo vetëm krijon vende pune për të rinjtë tanë, por njëkohësisht u mundëson atyre të krijojnë vende pune edhe për të tjerët”, tha kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se që të ndodhë kjo, janë të domosdoshme investimet e mëdha në këtë drejtim. Veseli tha se aktualisht ekziston një hendek serioz në mes shkathtësive të IT-së që ofrojnë sot institucionet tona arsimore e qendrat e trajnimit profesional dhe kërkesave që kanë kompanitë e IT-së.
“Ne duhet ta mbyllim shpejt këtë hendek, duke marrë vendime të mëdha strategjike, përmes të cilave orientohen fondet në qendrat e specializuara universitare dhe trajnimit profesional për inovacion dhe IT”, theksoi Veseli.
Duke qenë një shtet që promovon barazinë gjinore, Veseli tha se është e nevojshme që të stimulohet avancimi i femrave në përvetësimin e shkathtësive në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Stavileci: Pjesëmarrja e grave në sektorin e TIK-ut ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se sektori i teknologjisë së informimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Është kënaqësi që të shohim një sallë me vajza dhe gra të dëshmuara duke shkëlqyer në punën që bëni. Do të donim të shihnim sa më shumë pjesëmarrje të grave dhe vajzave në këtë sektor. Ne çdo ditë po e shohim dhe po e përjetojmë suksesin e grave në këtë sektor i cili është sinjal pozitiv për shoqërinë tonë. Ky sektor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë tonë.
Stavileci tha po ashtu se është dëshmuar që pjesëmarrja e grave në sektorin e TIK-ut ndikon pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik, por edhe në tërë shoqërinë.
“Jemi shumë të kënaqur që kemi dëshmuar rezultate përmes projektit WOw dhe më shumë se gjysma femrave që ishin pjesë e këtij projekti kanë gjetur një vend pune online. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjitha këto iniciativa. Mua më trimëron faktoi që çdo ditë e më shumë kemi vajza në këtë sektor.
“Ne na mbetet që të jemi një ndihmes e madhe në të gjitha pengesat siç është qasja në financa sepse ne dëshirojmë që shpirti ndërmarrës të kthehet në zhvillim, zhvillimi në punësim dhe kështu ta zhvillojmë vendin tonë”, përfundoi ai.
Zogaj – Gashi: Femra kosovare e ka kuptuar që TIK-u nuk është vetëm për meshkuj
Zëvendësministrja e MZhE-së, Besa Zogaj-Gashi tha se vajzat e përfshira në këtë sektor janë bërë rol model për të gjitha vajzat në vendin tonë.
“Tani fillon faza e katërt e projektit WoW, ku mbi 800 vajza kanë shprehur interesim për këtë projekt. Në fazën e parë dhe të dytë ku kanë diplomuar 150 vajza mbi 80 për qind të tyre kanë gjetur punë dhe 35 prej tyre kanë lodhur kontrata të punës në 35 vende të botës”, tha ajo.
Zogaj-Gashi tha se vajzat kosovare më në fund kanë arritur të kuptojnë që teknologjia informative nuk është vetëm për meshkuj dhe kjo ka bërë që ato të tregojnë rezultate të prekshme.
“Tashmë disa prej vajzave që kanë diplomuar kanë edhe kompanitë e tyre. Më vjen mirë që kjo nismë ka rezultuar me kaq shumë vajza të suksesshme që janë bërë rol model për të gjitha vajzat. Frymëzimi i këtyre vajzave është thelbësor që kanë arritur të thyejnë stereotipin që teknologjia informative është vetëm për meshkuj”, përfundoi ajo.