“TikTok” e “Wechat”: Si depërtojnë spywaret në telefona?

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Akuzat e ngritura ndaj aplikacionit kinez TikTok dhe një numri të madh aplikacionesh të tjera kineze janë të rënda dhe supozojnë se këto programe mbledhin një mori informacionesh nga përdoruesit e tyre.

Këto të dhëna nuk kanë kurrfarë lidhje me funksionin e vërtetë të aplikacionit dhe kësisoj as nuk ka asnjë arsye për mbledhjen e tyre.

“TikTok”-u dhe të tilla aplikacionet janë programuar asisoj që të mbledhin informacione nga telefonat e mençur të përdoruesve dhe janë të pajisura me funksione spiunazhi, ka thënë eksperti i sigurisë së Teknologjisë Informative, Stefan Strobel. Ai madje ka bërë të ditur programuesit e këtyre aplikacioneve bëjnë përpjekje të shumta që askush të mos mund ta vërejë një gjë të tillë.

Maja e ajsbergut

Themeluesi dhe drejtori i kompanisë së sigurisë IT, “CIROSEC”, këshillon kompanitë e mesme gjermane për çështje të sigurisë së Teknologjisë Informative.

Ndërkaq, Strobeli ka përvojë të madhe me aplikacionet kineze dhe sipas mendimit të tij, aplikacionet e njohura kineze “TikTok” dhe “WeChat” janë vetëm maja e ajsbergut.

“WeChat” kombinon funksione të ndryshme të mediave sociale dhe e ofron edhe mundësinë për të shkëmbyer mesazhe dhe për të bërë pagesa online. Ky aplikacion është shumë i përhapur në Kinë dhe ekspertët e fushës janë thuajse të gjithë të mendimit se të gjitha të dhënat që jepen apo shkëmbehen përmes “WeChat”-it regjistrohen thuajse tërësisht nga regjimi kinez.

Eksperti Strobel ka bërë të ditur se “vazhdimisht vë re se, për arsye të çuditshme, është investuar shumë për ta bërë më të vështirë analizimin e aplikacioneve”.

“Dhe nëse bëhen përpjekje dhe arrin t’i anashkalosh funksionet mbrojtëse për analizimin e aplikacioneve kuptohet se aplikacioni është programuar në mënyrë të tillë që të mbledhë shumë të dhëna dhe që t’i dërgojë ato në Kinë. Fjala është madje për të dhëna që në të vërtetë nuk janë aspak të nevojshme”, ka thënë ai.

Shumë aplikacione të cilat në shikim të parë duken si të parëndësishme dhe të padëmshme, shpesh janë programuar asisoj që prodhuesi i tyre kinez të jetë në gjendje ta zgjerojë funksionalitetin gjatë kohës së përdorimit të aplikacionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme