Erjon Balla 36 vjeç dhe Hidaete Salliu 73 vjeçe, të dy këmbësorë, u ndanë nga jeta pasi u bënë pjesë e një aksidenti ku u përplasën dy makina. Në këtë aksident të rëndë, ekspertët e sigurisë rrugore i shohin në shkelje të dy drejtuesit e mjeteve.
Eksperti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti, po ashtu thotë se mungojnë edhe sinjalizimet.
“Duhet të sinjalizohet për kthim. Lejohet apo jo kthimi nga e djathta në të majtë. Tabela e këmbësorëve është vendosur pingul me vijat e bardha, që duhet të ishin disa metra më përpara”, ka thënë ai për TopChannel.
Të dy drejtuesit e mjeteve të cilët u arrestuan pas ngjarjes Edmond Murati dhe Etjon Lazri, duhej që të shtunën të përballeshin me masën e sigurisë në gjykatë, por seanca u shty për të dielën për shkak se prokuroria nuk kishte paraqitur kërkesën.
Pas kësaj ngjarjeje, burime të policisë bënë me dije për Top Channel se prej të shtunës, rrugët e Tiranës do të monitorohen me radarë të tipit “TrueCam”. Këtij radari i fiksohet një shpejtësi e caktuar mbi atë të lejuarën në rrugë, dhe të gjithë ata që do të ecin mbi këtë normë do të gjobiten automatikisht.
E po ashtu, mbrëmjen e së premtes, gjatë kontrolleve të policisë në autostradën Tiranë-Durrës, u arrestuan dhjetë drejtuesish mjetesh, 6 pa leje drejtimi dhe 4 në gjendje të dehur.
Limit në këtë rrugë është 90km/h, por për disa shoferë nuk ka mjaftuar.