Tirana hyn në fazën finale të mbjelljes së 100 mijë pemëve të reja

Prishtinë | 09 Mar 2018 | 16:29 | Nga

Kanë mbetur edhe më pak se dy javë kohë për këdo që dëshiron të dhurojë pemë për qytetin e Tiranës, deri në 21 Mars, në Ditën Botërore të Pyjeve.

Deri tani në kryeqytet janë mbjellë mbi 93 mijë pemë.

Në aksionin për mbjelljen e 160 fidanëve tek mbikalimi i Saukut, të dhuruara nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe punonjës të Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave të Mesme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se objektivi për të mbjellë 100 mijë pemë të reja është mëse i arritshëm.

“Kemi hyrë në një fazë finale të mbjelljes së pemëve në Tiranë. Duam të maksimizojmë kohën e mbjelljes, që mbaron në fund të marsit. Ndaj, në datën 21 Mars do të kemi një ‘grand finale’ për të kapur rekordin tonë të 100 mijë pemëve të mbjella në Tiranë. Nëse do të na ndihmojnë të gjithë qytetarët, në çdo lagje, pallat, shkollë a kopësht, do kemi një Tiranë shumë herë më të gjelbër se sa ajo që gjetëm përpara 3 vitesh. Stacioni i fundit do të jetë 21 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, ku me siguri do ta thyejmë rekordin”, tha Veliaj.

Të ngjashme