“Tifozët Kuq e Zi” u kanë bërë thirrje qeverive dhe federatave të sportit në Kosovë dhe Shqipëri që t’i ndryshojnë ligjet në mënyrë që të bëjnë të mundur shkrirjen e kombëtarëve të Kosovës dhe Shqipërisë në një kombëtare të vetme.
Kosova dhe Shqipëria do t’i nisin kualifikimet për botërorin e 2018 në shtator të këtij viti.
Ja postimi i plotë:
Një Komb, Një Kombëtare!
Të nderuar tifozë, Në prag të ndeshjeve kualifikuese për botërorin, “Rusia 2018”, dëshirojmë të shprehim konsideratën dhe falënderimin për kontributin dhe sakrificën e gjithë lojtarëve që kanë djersitur, po djersitin dhe do të djersitin fanellën e Kombëtares tonë. Ky falënderim shkon për të gjithë ata futbollistë të cilët dhanë më të mirën nga vetja në kohën sa mbrojtën ngjyrat e Kombëtares shqiptare, që veshën bluzat me shkabën e zezë në gjoks, kënduan himnin kombëtar, dhe lartësuan e përfaqësuan kombin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Por, nga sot, rruga ku ishim bashkë, pati një devijim, devijim ky që do të bashkohet në “udhëkryqin” e radhës. Ne, Tifozët Kuq e Zi, zotohemi se do të punojnë shumë dhe pandalshëm, që ky ri-bashkim të ndodhë sa më shpejt, dhe besojmë fuqishëm që kur kjo të arrihet, shqiptarët do të kenë një ekip shumë më gjithëpërfshirës, jashtëzakonisht më të fortë, dhe të përhershëm. Kombëtarja sot përfaqëson më së miri shtetin e përbashkët shqiptar, duke ofruar ngrohtësi për lojtarë nga pothuajse secila trevë ku flitet shqip, nga Presheva e Kumanova, nga Mitrovica e Gjakova, deri në Kavajë e Korçë. Kjo është Kombëtarja jonë, kjo është ajo që realizuan këta djem
Kombëtarja sot është shembulli më i mirë i suksesit nga puna e përbashkët e çdo shqiptari, dhe shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijmë të bashkuar. Futbollistët kaq mund të bënin. Tani topi mbetet te qeveritë dhe federatat respektive të Shqipërisë e Kosovës që në vend të foto-sesioneve nga mbledhjet e përbashkëta, të kalojnë në vepra, nxjerrjen e normave dhe ligjeve, ndryshimin e ligjit për sport, për t’i hapur rrugë një kampionati konkurrues në futbollin evropian, dhe një ekipi kombëtar akoma më të fortë.
Tifozët Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!