Lojtari i Barcelonës i huazuar në Schalke, Jean-Clair Todibo, ka bërë të ditur se lojtarët e Barcelonës s’e japin maksimumin kundër Lionel Messit në seancat stërvitore, pasi që s’duan ta lëndojnë argjentinasin.
Lionel Messi mbetet lojtari dhe lideri me më së shumti ndikim në skuadrën e Barcelonës, duke qenë vendimtar në ndeshjen e katalonasve përkundër që po i afrohet ditëlindjes së 33-të, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, ai i pati disa probleme me lëndime në fillim të këtij sezoni 2019/20 dhe nuk pati mundësi të shërohet plotësisht nga ato lëndime deri në tetor.
Që nga atëherë, kapiteni argjentinas e ka luajtur një rol vendimtar në tentimet e Barcelonës për të siguruar sa më shumë trofe këtë sezon, me 17 golat e tij në gjithsej 20 paraqitjet në të gjitha garat.
Todibo – i cili është huazuar në Schalke për pjesën e mbetur të këtij sezoni – thotë se skuadra e Barcelonës ndërmerrte hapa për t’iu shmangur dëmtimeve të Messit në stërvitje, duke e pasur parasysh rëndësinë që ai e ka për katalonasit.
“Të gjithë e dinim se nuk mund ta lëndonim atë”, ka thënë Todibo në një intervistë të dhënë për të përditshmen gjermane, Bild.
“Kam mësuar shumë nga Messi dhe gjithashtu ia kam vjedhur disa herë topin gjatë seancave stërvitore. Por, kundër Messit nuk e jep maksimumin, askush s’dëshiron ta lëndojë atë”.
Todibo nuk arriti të lë gjurmë në Camp Nou pas transferimit të tij nga Toulouse dhe Schalke e ka opsionin për të blerë atë në fund të fazës së huazimit, këtë verë, për 25 milionë euro.