Është promovuar monografia për masakrën e Deliajve të Abrisë së Epërme “Toka skuq e qielli nxin” me autor Afrim Hysenaj.
Redaktori Adem Gashi tha se kjo është monografia më e veçantë për luftën që na dëshmon se ku i ka rrënjët liria.
Gashi tha se për botimin e këtij libri kishin marrë premtimin e presidentit Thaçi për mbulimin e botimit të kësaj monografie, por e cila nuk ndodhi kurrë, raporton Ekonomia Online.
“Çdo libër ka parahistori dhe unë tani e kam me borxh të them dy fjalë për këtë. Është punë njëvjeçare e Afrimit që sistemon me kujtesën 20-vjeçare një ngjarje të madhe. Në këtë një vit kam ndihmuar edhe unë për dy muaj, në këtë pozicion kemi kontaktuar me BE-në edhe me presidentin e Kosovës, i cili u zotua që ta mbulonte botimin e librit dhe nuk e mbajti fjalën”, tha Gashi.
“Afrimi paraqiti kërkesë edhe në strukturat e pushtetit lokal të Drenasit, nuk u përgjigjen as ata, por për atë, si për të gjithë ne u përgjigj populli, janë njerëzit e vullnetit të mirë që mundësuan botimin e librit dhe vetëm një gjë mund të them që do mbështetemi në popull e gjithçka do të bëjmë për popullin”, tha ai.
Ai tha se libri tregon në detaje për këtë masakër, për të cilën të tjerët deri më tani kishin parë vetëm majën e Ajsbergut. Gashi shtoi se jehona e masakrës në këtë fshat të vogël kishte përthekuar gjithë globin.
Gjatë këtij promovimi, nga Melisa Ferizi u recitua poezia përkushtuese për Valmir Deliun, foshnjë 18-muajsh që u masakrua gjersa ishte në gjirin e nënës së tij.
Recensuesi i librit, Besim Morina, tha se qëllimi i librit është ndërgjegjësimi i njerëzve për ata që ka ndodhur para 20 vjetësh.
“Ky libër ka qëllim t’i thërrasë ndërgjegjes njerëzore për atë që ndodhi para 20 viteve”, tha Morina.
“Shteti serb jo vetëm që s’pranon krimet, por edhe i fsheh ato. Media dhe propaganda e Serbisë janë munduar të dezinformojnë se në Abri të Epërme është bërë montim i ngjarjes”, tha ai.
“23 civilë shqiptarë, përfshirë gra dhe fëmijë të vrarë, në kodër një plak i prerë në fyt dhe në gjoks një thikë kasapësh”, shpjegoi masakrën e cila kishte ndodhur në Abri.
“Monografia iu bën nder martirëve të Kosovës, ku përfshihet maksimumi i informacionit ku autori është shumë i informuar për njohuritë e gjërave dhe ngjarjeve të shtjelluara”, shtoi Morina.
Recensuesi tjetër, Haxhi Ademi, tha se kjo monografi pasqyron periudhën më të dhimbshme dhe më të lavdishme në të njëjtën kohë.
“Në mesin e masakrave që janë bërë nga serbët, masakra e Arbrisë së Epërme është njëra si më e rënda dhe autori Hysenaj me përkushtim iu ka përveshur punës për të ndriçuar këtë ngjarje të dhimbshme për të gjithë”, tha Ademi.
Në promovimin e kësaj monografie morën pjesë edhe familjarë të familjes Deliu.
Autori Afrim Hysenaj tha se këtë monografi e kishte në mendje për një kohë të gjatë dhe se e kishte prekur gjithnjë kjo ngjarje makabër që kishte ndodhur në fshatin e tij të lindjes.
Në fund, libri iu dhurua të gjithë familjarëve të prekur nga masakra, familjeve të dëshmorëve të Abrisë së Epërme, dëshmitarëve okularë në libër dhe donatorëve që mundësuan botimin e monografisë.