Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.
Drejtori menaxhues, Valon Tolaj, gjatë raportimit tha se pandemia ka lënë pasoja negative në punën e kësaj agjencie.
Sipas Tolajt vendimet e Qeverisë të marra gjatë vitit 2020 për pezullimin e përkohshëm të privatizimet kanë ndikuar në ulje e të hyrave.
“AKP vitin 2020 nuk e ka pasur të lehtë sepse ka pasur tregues negativ për arsye jo tonat por për faktorë të jashtëm ndikues nga pandemia. Ka pasur vendime dhe kërkesa nga ana e Qeverisë për pezullim e përkohshëm të privatizimeve e të shitjeve prandaj ne nuk kemi pasur shitje”.
“Kemi pasur të hyra më të vogla krahasuar me vitin 2019. Kemi të hyra prej 17 milionë në vitin 2020. Ka rënie të të hyrave nga qeraja krahasuar me vitin 2019. Ne kemi qenë të detyruar që gjatë pandemisë të lirojmë qiramarrësit pasi që ata nuk kanë zhvilluar veprimtari në lokalet që u kemi lëshuar ne. Ka pasur rritje të shpërndarjes së 20 përqindshit, janë rreth 16 milionë euro të shpërndara”, ka raportuar ai.
“Cili është relacioni i zbatimit të Ligjit të Trepçës në relacion me AKP-në. A ka akoma njësi brenda AKP-së që punon me Trepçën”, ka pyetur Ferat Shala.
“Po ka një zyrë shumë të vogël duke marrë parasysh që tash Trepça është ndërmarrje publike”, është përgjigjur Tolaj.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se çfarë pune ka bërë Tolaj në vitin 2017 kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër.
“Në vitin 2017 kam pas qenë sekretar i Aleancës, në tetor ose nëntor të viti 2018 jam bërë Drejtor i AKP-së”.
“Nëse një vendim i imi ose nëse ju pretendoni që kemi marr ndonjë vendim politik unë jam i gatshëm të marr përgjegjësi”, tha Tolaj.
Kurse Kusari Lila shtoi se Tolaj e ka marrë personale teksa ajo ka folur vetëm për vendimet e Bordit të asaj kohe.
Ndërsa Shala ka kërkuar që mos të shkoj debati në këtë formë ku diskutohet CV-ja e dikujt pasi janë thirrë për raport vjetor në Komison, raporton EO.
Komisioni ka dërguar në Kryesi emrat për anëtarë të Bordit të ARKEP-it me 5 vota për, një kundër dhe një abstenim.
Lidhur me këtë pikë kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka treguar se kanë pranuar një e-mail nga mediet që kryetari i propozuar i Bordit ka një procedurë juridike të hapur.
“Njëri nga anëtarët i propozuari për kryetar Bordi ka një procedurë të hapur juridike sipas një e-maili të dërguar nga mediet tona të respektuara”, tha Shala.