Është zhdukur Adonis Gashi, njëri nga tre shokët e qelisë të Astrit Deharit. Gashi i cili kishte ndarë të njëjtën qeli me Astrit Deharin, nuk është paraqitur në stacionin policor në Prizren për të dhënë dëshminë e tij lidhur me vdekjen e Deharit.
Lajmin e ka konfirmuar avokati mbrojtës i familjes Dehari, Tomë Gashi.
“Për Adonis Gashin është lëshuar një fletë-arrest nga Policia e Kosovës, ai është në ikje, ai do të duhej të intervistohej tani kur po intervistohen policët e gardianët”, tha Gashi.
Avokati theksoi se për zhdukjen e tij është informuar nga Policia e Kosovës.
Hetimet për rastin Dehari janë duke vazhduar pasi që Instituti zviceran në raportin përfundimtar nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë, shkruan telegrafi.
Hetimet kanë rinisur gjatë muajit dhjetor të vitit 2019, në mesin e të intervistuarve është edhe ish- komandanti regjional i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi, të tjerët janë gardianë të qendrës së paraburgimit në Prizren si dhe stafi mjekësor.
Deri më tani nga Prokuroria Speciale janë intervistuar 14 dëshmitarë, ndërsa edhe tre tjerë pritet të intervistohen.