Boksieri Tony Bellew fitoi me “KO teknik” në raundin e pestë edhe revanshin ndaj David Haye diel i peshave të rënda, i zhvilluar në stadiumin “O2 Arena” të Londrës, një përballje mes dy boksierësh britanikë që pritej me interes nga të gjithë.
Ky është suksesi i dytë radhazi për Bellew ndaj patriotit të tij, që pas triumfit në mars të vitit të kaluar, edhe asokohe me “KO teknik” në raundin e 11-të, këtë herë u tregua edhe më i shpejtë, duke e mposhtur rivalin në raundin e pestë.
Për Bellew ky është triumfi i 30-të në ring në karrierën e tij, ku numëron edhe 3 humbje e një barazim.
Edhe pse në dy raundet e para u duk sikur Haye ishte më superior në ring, duke i fituar ato me pikë, në raundin e tretë ndryshon tërësisht pamja e sfidës dhe Bellew nis të hedhë themelet e triumfit. Haye bie dy herë në tapet në sekondat e fundit të raundit të tretë, duke u shpëtuar nga këmbana.
Pasi arrin të mbijetojë në raundin e katërt, në të pestin Haye sërish e sheh veten në tapet. Haye përpiqet të qëndrojë në këmbë, por disa grushte të Bellew detyrojnë gjyqtarin të ndalë duelin në mesin e raundit të pestë.
Haye nuk arriti të tregojë formën e dikurshme, të shumë viteve më parë, ishte i avashtë në ring edhe pse peshonte më pak se rivali i tij, që falë grushteve të fuqishme arriti të mposhtë rivalin 37-vjecar.
Haye, ish-kampion bote, e pa shumë shpejt veten në telashe dhe nuk arriti të qëndrojë në këmbë as 5 raunde, duke rënë 3 herë në tapet dhe pësoi humbjen e 4-t në karrierë, ku numëron edhe 28 fitore. Bellew ishte më i freskët, u tregua i saktë në mbrojtje dhe corientoi rivalin me grushtet e tij, duke e merituar fitoren. Për Haye, dy humbje radhazi që mund t’i thonë mjaft karrierës së tij.