Mërgim Vojvoda është lënduar në humbjen e Torinos kundër Milanit në një ndeshje të Kupës së Italisë të martën, ka njoftuar klubi.
Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës Vojvoda u detyrua ta braktisë fushën pak para përfundimit të ndeshjes së 1/8 së finales në Kupën e Italisë në San Siro, me Torinon që u eliminua pas disfatës në penallti, raporton Gazeta Express.
25-vjeçari – i cili iu bashkua Torinos verën e kaluar për 5.5 milionë euro – e kërkoi zëvendësimin në minutën e 84-të, për shkak të dhimbjeve të mëdha që ndiente në krahun e majtë, të cilin e zuri keq pasi u rrëzua gjatë një dueli.
Torino konfirmoi në uebsajtin e vet se Vojvoda u lëndua por nuk dha ndonjë detaj shtesë.
“Lojtari do të jetë subjekt i vlerësimeve të mëtutjeshme në ditët në vazhdim”, thuhet në uebsajtin e Torinos.
Dyshohet se ish-ylli Standard Liege e ka nxjerrë krahun nga vendi pas atij rrëzimi të keq dhe nuk dihet se sa gjatë mund të mungojë.
Ndeshja e kupës mbrëmë ishte e para si titullar për Vojvodën pas rreth një muaji, sepse kosovari e ka humbur besimin e trajnerit Marco Giampaolo në ndeshjet e fundit.
Giampaolo është duke ia besuar pozitën e djathtë 20-vjeçarit Wilfried Singo.
Vojvoda i ka bërë 16 paraqitje për Torinon në të gjitha garat deri tani këtë sezon, duke i dhuruar dy asistime.