Me Kawhi Leonardin duke ndier lodhjen, Toronto Raptors gjeti mjaftueshëm energji nga lojtarët e tjerë për të mposhtur sërish Milwaukee Bucksin.
Kyle Lowry udhëhoqi skuadrën drejt triumfit të martën mbrëma, përcjell Koha Ditore shkrimin e AP.
Lowry realizoi 25 pikë, Leonard 19 sosh dhe Toronto triumfoi 120:102 në shtëpi të martën mbrëma ndaj Milwaukeet për të barazuar në 2:2 shifrat e serisë finale të Konferencës Lindore në plejofin e NBA-së.
“Ishte një nga ato net ku e dinim se Kawhi do të jetë pak i limituar dhe e dinim se duhet të ishim më agresiv”, ka thënë Lowry. Leonard kishte luajtur 52 minuta në fitoren pas dy shtesave të dielën në ndeshjen e tretë, ndërsa kishte edhe probleme me një lëndim të vogël të këmbës. Ai çalonte pas një shënimi në çerekun e tretë në ndeshjen e së martës, por prapë qëndroi dhe luajti 34 minuta.
“Ndihem mirë”, insistoi Leonard. “Do të vazhdoj të luaj dhe të luftoj. Ne kemi gjasa të bëjmë histori”.
Trajneri i Torontos, Nick Nurse, ka thënë se nuk është i shqetësuar për shëndetin e Leonardit.
“Ai sigurisht se është i lodhur, si shumica e këtyre djelmoshave. Por më duket mirë. Ishte një moment kur desha t’i jepja pushim më të gjatë, por ai nuk donte këtë”, ka thënë Nurse.
Serge Ibaka shënoi 17 pikë dhe pati 13 kërcime për Toronton. Ndërkohë rezervisti Norm Powell shënoi 18 pikë, derisa Marc Gasol 17 pikë e 7 asistime.